Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka publikuar listën e aplikimeve të kualifikuara nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2021, që duhet të dorëzojnë dokumentet përkatëse.
Frida Krifca, drejtore e AZHBR-së shprehet se, “procesi i aplikimit në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi dhe Blegtori edhe për këtë vit u krye online me procedurën e thjeshtuar nëpërmjet platformës e-Albania”.
“Kemi administruar rreth 70 % më shumë aplikime duke na dëshmuar kështu besim të shtuar mbi institucionin, lehtësinë e aksesit të krijuar në aplikime dhe dëshirën për zhvillim të bujqësisë”, tha Krifca.
Në përputhje me udhëzimin e ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, listat janë të publikuara në faqen zyrtare të AZHBR ku gjendet edhe informacioni për plotësimin e dokumentacionit, që duhet të kryejnë aplikantët e kualifikuar.
Krifca njofton se, vija e financimit do të ulet në përputhje me buxhetin që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si institucion përgjegjës për alokimin e buxhetit, do të akordojë për skemën mbështetëse në vijim.
Për çdo informacion të nevojshëm mbi aplikimet fermerët, mund të informohen pranë Agropikës më të afërt.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2021, adreson një fondi prej 804 milionë lekë, subvensione për fermerët.
Mbi 13 mijë fermerë kanë aplikuar online në e-Albania për të qenë fitues të një prej 9 financimeve direkte të qeverisë në mbështetje të fermerëve në bujqësi e blegtori.
Skema mbështetëse për fermerët 2021 u shtri në të gjithë vendin, në datat 24 mars deri më 15 prill, e dyta me në fokus fermerët, pas skemës mbështetëse për naftë falas, nga e cila përfituan 20561 fermerë nga çdo cep i Shqipërisë.
Nëntë masat financiare mbështetëse të Skemës Kombëtare 2021
– 1200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360,000 lekë për subjekt, për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 70 krerë dele dhe/ose dhi, ndërsa për fermat me jo më pak se 5 krerë lopë, në vlerën 10000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt.
– 1000 lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 50 zgjoje, por jo më shumë se 150,000 lekë për subjekt të mbarështimit të bletëve.
– 300,000 lekë/ha dhe 100,000 lekë/ha, por jo më shumë se 500,000 lekë për subjekt për zëvendësimin e plastmasës termike për serrat diellore ekzistuese për prodhimin e perimeve, rrushit për tavolinë dhe tunelet plastike për prodhimin e luleshtrydhes në vlerën respektive. Sipërfaqja e serrës apo e tunelit plastik të jetë jo më pak se 0.2 ha. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
– 200,000 lekë/ha, por jo më shumë se 1,000, 000 lekë për fermerët individualë dhe për grup-fermerësh, ndërsa për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor (në vijim “SHBB”), jo më shumë se 4,000,000 lekë për mbjellje bimësh mjekësore e aromatike. Sipërfaqja e mbjellë për fermerët individualë duhet të jetë jo më pak se 0.2 ha, për grupfermerësh, jo më pak se 1 ha në një bllok të vetëm, për SHBB-të, jo më pak se 5 ha. Madhësia e ngastrës të jetë jo më pak se 0.2 ha, kur nuk është në bllok.
– 100,000 lekë, në vitin e dytë, 150, 000 lekë dhe 200, 000 lekë për fermë të certifikuar organike, për periudhën në kalim, vitin e parë.
– 50 % të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175,000 lekë, në perime, fruta, rrush, ullinj dhe agrume, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha për implementimi dhe certifikimi Global GAP.
– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjektet në mbështetje për linja/makineri/pajisje për përpunimin, paketimin, standardizimin dhe etiketimin e ullirit, vajit të ullirit, bimëve mjekësore e aromatike dhe qumështit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 5,000,000 lekë për subjekt në mbështetje të ngritjes ose rikonstruksionit të ambienteve për veprimtari të turizmit rural nga 6 deri në 10 dhoma. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II.
– 50 % të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 10,000,000 lekë në mbështetje të subjekteve për investime në agroturizëm kundrejt planit të biznesit. Përfitues janë subjektet, të cilat nuk mund të mbështeten nga programi IPARD II./Burimi:ATA