/ATSH/ Fermerët dhe bizneset e agroturizmit po rrisin interesin për të investuar në Ferma Organike dhe rritjen e prodhimit bujqësor bio, që është mjaft i kërkuar krahas eksportit edhe nga vizitorët, turistët vendas dhe të huaj.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) bën të ditur se, janë 122 fermerë aplikantë të kualifikuar për masën 5 të Skemës Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi, 2021, që përfitojnë financim, për zgjerimin e fermave organike.
Sipas kritereve që ka miratuar qeveria për subvencionet në bujqësinë organike bizneset e kësaj linje përfitojnë mbështetje për ngritjen ose rikonstruksionin e ambienteve të prodhimit të produkteve tradicionale të zonës.
Fermat organike, për vitin e parë, përfitojnë financim në vlerën 100 000 lekë, në vitin e dytë, 150 000 lekë dhe 200 000 lekë për fermë të certifikuar.
Ministria e Bujqësisë katër vite më parë, duke vlerësuar fizibilitetin e investimeve në bujqësi, përzgjodhi agroturizmin si modelin më të suksesshëm teksa vlerësoi se fermat bujqësore organike janë një vlerë e shtuar dhe fitimprurëse për zhvillimin rural në tërësi. /a.a/