Dita e sotme, njohihet si “Dita Ndërkombëtare e Tokës”, shënon një ditë botërore përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, në celebrim të mbështetjes dhe mbrojtjes së natyrës dhe jetës në planetin tonë. Kjo ditë ofron një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë globale për sfidat e mirëqenies së planetit dhe të gjithë jetës që ai mbështet, si dhe nënvizon përgjegjësitë kolektive të gjithësecilit prej nesh, të parashikuara edhe në “Deklaratën e Rio-s 1992”, për promovimin e harmonisë me natyrën dhe Tokën dhe për arritjen e një ekuilibri të drejtë midis nevojave ekonomike, sociale dhe mjedisore të brezave të tanishëm dhe të ardhshëm të njerëzimit.
Toka, padyshim është planeti i cili vetëm ka dhënë për njerëzimin, ndaj “Dita Ndërkombëtare e Tokës”, është një prej 365 ditëve të vitit në të cilën çdo banor i këtij planeti ka mëshumë se një arsye për t’u ndalur dhe konsideruar ndikimin që ka gjurma e tij e karbonit në komunitetin ku jeton dhe në botë në tërësi.
Viti 2021, markon edhe 51 vjetorin e eventeve të përvitshme dedikuar kësaj dite. Subjekti në thelb të eventeve të këtij viti është “Të Rikthejmë Tokën Tonë”.
Rimëkëmbja nga pandemia COVID-19, ofron një mundësi për të rivendosur botën në një rrugë më të pastër, të gjelbër, e më të qëndrueshme dhe teksa planeti ynë përjeton një tjetër vit të vështirë krize për shkak të pandemisë, fokusi i Ditës së Tokës së këtij viti, nuk mund të ishte më në analogji me aktualitetin.
“Të Rikthejmë Tokën Tonë”, një iniciativë që synon rikthimin e ekosistemeve globale përmes mjeteve natyrore, teknologjisë së gjelbër dhe inovacionit. Çelësi për arritjen e këtij synimi për ruajtjen dhe restaurimin e habitateve, kërkohet tek politikat respektive si dhe ndryshimet e sjelljes që mund të mbështesin rimëkëmbjen e ekosistemeve të Tokës.
Ndryshimet klimaterike dhe degradimet e tjera mjedisore kanë modifikuar dhe prishur sistemet tona natyrore, duke çuar në epidemi dhe sëmundje të reja dhe fatale të cilat janë shoqëruar pashmangshmërisht nga reçesione të ekonomisë globale. Por ndërkohë që ndryshimet e klimës dhe Covid 19 na rikujtojnë dëmin që kemi shkaktuar ndër vite, “Rikthimi i Tokës”, na risjell në vëmëndje opsionet e shumta të cilat mundësojnë këtë qëllim madhor duke hedhur poshtë nocionin se zbutja ose adaptimi janë mënyrat e vetme për të adresuar ndryshimet klimaterike. Gjithësecili prej nesh duhet të impenjohet në këtë angazhim, jovetëm në kuadër të përkujdesjes ndaj natyrës por sepse ne i detyrohemi çdo frymëmarrje asaj. Secili prej nesh ka nevojë përnjë Tokë të shëndetshme e cila mbështet punën, jetesën, mirëqenien shëndetësore dhe lumturinë tonë. Një planet i shëndetshëm nuk është më një opsion – është një domosdoshmëri