/ATSH/ Në Kukës vijon puna me ritme të larta për stadiumin e ri “Zeqir Ymeri” të këtij qyteti verior.
Stadiumi i ri i Kukësit do të plotësojë të gjitha kriteret që duhen për të pritur edhe ndeshje të kompeticioneve ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga ndërtimi i këtij stadiumi.
“Mirëmëngjes dhe me disa sekonda nga kantieri i stadiumit të ri të Kukësit, “Zeqir Ymeri”, ju uroj ditë të mbarë”, – tha Rama.
Stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës është një tjetër projekt i premtuar nga qeveria shqiptare, i cili po ndërtohet sipas parametrave të UEFA-s.
Impianti i ri sportiv në veri të vendit, i cili parashikohet të përfundojë në fund të gushtit, do të ketë 8 mijë vende, ndërsa pjesë e tij do të jenë dhe ambientet akomoduese.
Në këtë stadium do të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që është sipas standardeve më të mira i pajisur me një sallë konferencash për 80 persona, dhomën e delegatëve të UEFA-s me të gjitha standardet, dhomat e veshjeve etj/k.s//a.a/