Gjatë javës së kaluar, Komiteti Teknik i Ekspertëve anti-Covid vendosi që të hapë edhe universitetet. Por ambientet e këtyre të fundit do të përdoren vetëm për konsultime përpara sezonit të provimeve dhe për zhvillimin e testimeve në fund të vitit akademik.
Por sa efektiv është ky vendim, kur studentet për dy muaj nisin sezonin e provimeve? Gjatë gjithë vitit akademik ata ishin të vetmit që e zhvilluan mësimin online, pasi u panë si një rrezik i shtuar për përhapjen e infeksionit SarsCov2.
Që prej tetorit ata kërkuan rikthimin në auditorë, ndërkohë që vetë universitetet përshtatën ambientet për zbatimin e protokolleve anticovid, por asnjëherë thirrjet e tyre nuk u morën parasysh. Tani është vendosur që ata të kthehen pjesërisht.
Në një lidhje direkte për “Wake Up”, Rigels Xhemollarin nga “Qëndresa Qytetare” theksoi se ky është një rikthim i vonuar dhe që nuk do të shërbejë për mbushjen e boshllëqeve të krijuara në një vit e gjysmë.
“Një rikthim i vonuar, por nuk do ta quaja fare rikthim, sepse nuk ka asnjë student që po hyn e po del te Korpusi, që është edhe universiteti më i madh në vend. 40% e studentëve nuk e kanë ndjekur rregullisht mësimin online
E kanë bërë edhe jashtë këtë mësimin online, por nuk është bërë nga dhoma e gjumit të pedagogut, por nga klasat dixhitale”, tha ai.
Ndërsa studentja e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Paola u shpreh: “Ky nuk është një vendim, pedagogët nuk na kanë thënë asgjë si do veprojmë. Në komunikimin me pedagogët na kanë thënë që nuk kemi asgjë të qartë, nuk dimë asgjë. Dua t’u them të gjithëve që studentet janë të ndërgjegjshëm dhe shpresoj të na rikthejnë”.