Barometri ekonomik, produkti i cili vjen për publikun nga Scan Media dhe “Scan Intelligence Unit”, në bashkëpunim me IDRA research, për tremujorin e parë të këtij viti shpalos një sërë problematikash të ndryshme, ku një nga komponentët e studiuar në këtë raport është edhe niveli i kënaqësisë së jetesës te familjet shqiptare.
Nga analiza e të dhënave të anketës ajo që vihet re është se 62% e të anketuarve, pra më shumë se gjysma deklarojnë se janë të pakënaqur nga niveli i tyre i jetesës.
Më konkretisht 27% e tyre shprehen se janë plotësisht të pakënaqur dhe 35% janë më së shumti të pakënaqur. Rreth 33% e familjeve të pyetura shprehen të kënaqur ku 29% janë më së shumti të kënaqur dhe 4% e tyre janë plotësisht të kënaqur.
Pra, sipas kësaj ankete rezulton se familjet shqiptare janë të pakënaqur lidhur me standartet e tyre të jetesës.
Kjo padyshim mund të jetë edhe një nga arsyet sepse 44% e shqiptarëve duan të emigrojnë siç e tregojnë dhe të dhënat e kësaj ankete mbi emigrimin. Kjo situatë patjetër tregon për nevojën e përmirësimit të standarteve jetësore si dhe hartimin e zbatimin e politikave të reja për individët dhe familjet në përgjithësi./ Scan