Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi tha se Shqipëria do të marrë 145 mijë vaksina të Pfizer dhuratë nga BE.
Gjatë një konference të përbashkët me Ramën, ai u shpreh se Austria ka rol kyç në sigurimin e vaksinave.
“Nga pandemia dalim nëse promovojmë vaksinat. 145 mijë doza të pfizer të cilat jo vetëm që po i sjell BE por edhe janë tërësisht 100% të financuara nga BE. Këto janë një dhurim, dhuratë nëse mund të shprehem këtu. Një gjë tjetër që dua të bëj të qartë është se ne nuk do ta kishim bërë të mundur këtë pa miqtë tanë austriakë dhe qeverinë austriake, të cilët kanë qenë të rëndësishëm për këtë gjë.
Doja të falënderoja qeverinë austriake. Pa kontributin e tyre kjo gjë s’do ishte arritur. Ky lloj bashkëpunimi tregon vlerën e skuadrës europiane. Ne e kemi ndihmuar Shqipërinë që prej fillimit të pandemisë, jemi përpjekur t’u ndihmojmë me gjithçka kishim mundësi me maska respiratorë ambulanca. Ky është momenti për ta fuqizuar më tej procesin e vaksinimit, jemi të interesuar për sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.
Varhelyi tha se është bërë kërkesë edhe për hapjen e kufijve të BE, për qytetarët e shteteve të tjera.
“Ne kemi bërë një propozim për shtetet anëtare dhe do të merret një vendim si do ecet para. Në rekomandimet tona kemi sugjeruar që shtetet anëtare të hapin kufijtë dhe të lejojnë qytetarët e shteteve të tjera dhe të hyjnë në BE, edhe pa pasur arsye thelbësore. Në ato vende ku ka situatë të mirë epidemiologjike, të ketë mundësi për udhëtim, por edhe ata që janë të vaksinuar. Shpresoj të kemi një verë që do ti ngjajë një normaliteti veror.”