Partia Demokratike e cilësoi njw skandal madhor përdorimin nga Partia Socialiste, e një baze të dhënash personale të 910 mijë qytetarë të kryeqytetit, ku gjendet numri ID i kartës së identitetit, telefona personalë, vendi i punës e të dhëna të tjera private.
PD dhe presidenti Ilir Meta kanë kërkuar nga SPAK të nisë hetimet për atë që e quajnë keqpërdorim nga PS-ja të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë dhe të bazës së të dhënave shtetërore.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka bërë të ditur se ka nisur verifikimet pas lajmeve mbi zotërimin e paligjshëm të të dhënave personale për qëllime politike gjatë fushatës zgjedhore.
Për të folur rreth kësaj çështje që ka bërë bujë së fundmi, ishte i ftuar në “Breaking” në Top News, Besnik Dervishi, komisionari i Mbrojtjes të të dhënave Personale.
Çfarë hapash ka ndërmarrë komisioni?
Ka nisur një hetim kryesisht. Më duhet t’ju sqaroj, se komisioneri trajton rastet sipas ankesave që bëhen nga personat. Që javën e kaluar kemi nisur shqyrtimin administrativ, duke nisur disa urdhra ndaj kontrolluesve.
Sa kohë ju duhen për të mbaruar këto hetime?
Nuk janë mrekulli që ndodhin brenda ditës dhe javës, kërkon kohën e duhur. Duke ju referuar edhe rasteve ndërkombëtare, janë jo vetëm hetime administrative të vështira, por duan kohë.
Këto të dhëna janë publike për çdo qytetar. Futet në atë database dhe gjen të dhënat e mia, e mund të kontrollojë çdo lloj dokumenti? Çfarë hapash ndërmerrni?
Keni të drejtë, por situata është më komplekse. Në radhë të parë duhet të jemi të ndërgjegjësuar për ruajtjen e të dhënave personale. Është verifikuar se të dhënat personale u janë dhënë kontrolluesve me dëshirë. Në shumicën e rasteve janë vetë ata që tregohen të pakujdesshëm, më pas është detyra e kontrollorëve për t’i ruajtur. Zyra jonë vihet në lëvizje nga denoncimet e qytetarëve.
Është debatuar shumë, ka pasur një numër të kufizuar telefonatash. Për rastin konkret nuk ka pasur ankesa, por sot janë disa ankesa sa gishtat e njërës dorë.
Duhet të kemi pak durim që të presim konkluzionet. Ne nuk mund të bëjmë hamendësime, duhet të kemi prova dhe fakte konkrete.