Ditëve të fundit bëri lajm një projektilgj i diskutuar në media mbi disa ndryshime të Kodit Penal. Ajo që tërhoqi vëmendjen ishte Neni 714 – kur Kodi Penal i tanishëm, Ligji Nr.98/2014 (i ndryshuar), ka vetëm gjysmën e këtyre neneve – mbi “bigaminë”.
Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka shpallur “bigaminë” në vitin 1878 si vepër penale. Më herët më 1862 SHBA-të e kishin shpallur “poligaminë” ilegale, dhe ligjërisht e tillë ka mbetur gjer – tashmë prej afro 160 viteve – në ditët e sotme.
Mbase ishte ky lloj ndikimi perendimor që i shtyu juristët tanë ta propozonin bigaminë – që shpesh ngatërrohet me “poligaminë” – si vepër penale, por ka dhe vende europiane që nuk e kanë të ligjshme një martesë të dytë. Sidoqoftë, E Drejta Europiane, ushtron presionin e saj mbi kontinentet e tjerë për të hequr dënimin me vdekje, dhe mund të themi se juridikisht – sidomos E Drejta Nordike – kontinenti ynë konsiderohet më i përparuar sesa legjislacionet e vendeve të tjera, pamvarësisht ndasive e larmive që kanë ndërmjet tyre (civil law, common law, nordic, e deri tek përngjasimet e vendeve tç dala nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik).
Dhe pse që nga antikiteti – në të të ashtuquajturën Greqi e Lashtë, apo në të drejtën romake – njihet monogamia, kjo duhet parë me një sy kritik, sepse nga ana tjetër lejoheshin konkubinat, apo në raste festash lejoheshin marrëdhëniet seksuale në nder të perendive të dashurisë, lindshmërisë, perendisë së Dionisit e deri tek kulti i Mitra-s mistike.
Monogamia – martesa vetëm me një grua – është një institut i dalë – më saktë: “i përhapur” – nga kisha romane katolike për të rregulluar shoqërinë, por vetë Bibla – në Dhiata e Vjetër – e njeh poligaminë, ku mund të përmendim Solomonin me 700 gra, pa llogaritur konkubinat – që ishin gra, por pa statusin legjitim të gruas, më tepër si shërbëtore edhe seksuale, fëmijët e të cilave nuk mernin asnjë status trashëgimie nga babai i tyre – dhe pse ligji i ri i Dhiatës së Re interpretohet si rend monogam në Të Drejtën Familjare.
Feja ka patur ndikimin e saj në të Drejtën Familjare, dhe mund të përmendim këtu përgjigjen e famshme që Gjergj Fishta i dha një gazetari anglez “E di gjithë bota, që shteti juaj e ndërroi religjionin për një bythë femre!”, ku i referohej vendimit të Henrit të VIII për ta kthyer popullin e tij në protestant në 1547, për të siguruar legjitimimin e martesës së tij të dytë që ia ndalonte katolicizmi.
Rasti më i famshëm i poligamisë në vendin tonë është ai i Ali Pashë Tepelenës me haremin e tij, ku gjejmë edhe eunukë, pamvarësisht se si grua parësore kishte Vasiliqinë; por ky shihet më shumë si një ndikim osman sesa si një kulturë autoktone.
Në traditën vendase, njihet në Kanunin e Lekë Dukagjinit, terminologjia “grua mbi grua” që është një poligami e pastër.
Kjo, e praktikuar deri në ditët e sotme, nga “detyrimi” për të marrë një grua të dytë kur gruaja e parë nuk lind fëmijë; por më herët, edhe në rastet kur gruaja e parë lindte vetëm vajza – 3 vajza psh. – ngase besohej se “femra nuk dinte të lindte djem”.
“Grua mbi grua” në të drejtën dokesore – kupto “kanunore” – shqiptare është praktikuar edhe në rastet kur vdiste vëllai, xhaxhai, a djali i kushëririt të parë, e gruaja e tyre i kalonte në martesë të heshtur (pa dasmë) vëllait, nipit a kushëririt; por kjo interpretohet nga të vjetrit më shumë si një mbrojtje ndaj gruas e fëmijëve të gjakut, sepse qëllimi në vetvete ishte që ajo grua të mos kthehej tek shtëpia e prindërve të saj ku mund të rimartohej edhe me hasmin e familjes së burrit të parë, e fëmijëve u binte barra të ishin deri thjeshtër të gjaksit të tyre; por të dhënat dokumentare tregojnë edhe për raste që këto gra të dyta, a të treta, të kenë lindur edhe fëmijë (mbase) me burrin e ri.
“De facto” poligamia është e përhapur në vendin tonë, kryesisht tek këngëtarë të famshëm, politikanë, Mis Shqipëria, e deri bisnesman-ë që kanë një grua parësore; e nga ana tjetër kanë edhe një familje “të fshehtë” me trashëgimtarë, pasuri, e një jetë – pothuajse – normale (për të mos diskutuar se çfarë është “norma” për shtresat e pasura të shoqërisë).
Nga ana tjetër egzistojnë e dalin deri sheshit “martesat e hapura”, ku burri e gruaja shijojnë secili një të dashur jashtë familjes. Po ashtu në rrjetet “tinder”, “badoo”, “snapchat”, etj. egzistojnë “çifte” që kërkojnë një të tretë për “lojërat e tyre familjare”, të 4-t e me radhë…
Një fenomen mjaft i njohur në shoqërinë e këtyre viteve janë martesat fiktive, dhe këtu nuk po flasim vetëm për ato martesa “për të bërë letrat”, a “për të marrë mbiemrin e gruas”, por dhe për ato martesa ku homoselsualët “detyrohen” që të martohen me një grua “për hir të opinionit”, “për ti mbyllur gojën dynjasë” e nga ana tjetër vazhdojnë të frekuentojnë gjininë e tyre. Diçka e ngjashme mund të konsiderohet edhe martesa me një femër aseksuale, apo martesa me një burrë a femër nimfoman/e, njihet gjithashtu dhe “Muaj i Mjaltit gjatë muajit të shtatzanisë” si një marrëveshje – përgjithësisht – e heshtur midis bashkëshortëve.
E gjithë kjo LIRI seksuale, pritet të shembet nga Neni 714 i Kodit Penal, që sipas pikës 2 të tij shkon gjer në sanksionin “4 vjet burg”. Një koment pikant në rrjetet sociale thoshte: – Mirë që do i burgosin “kriminelët”, por a do ua sekueatrojnë edhe “armët e krimit”?! – dhe kjo duhet parë si një opinion i shoqërisë civile që përmes sarkazmës shpreh protestën e saj ndaj kësaj pike të projektligjit të propozuar.
Problematikë më vete është pika 3 e nenit “Ky nen gien zbatim edhe kur fakti është konsumuar jashtë territorit nga një shtetas shiptar ose nga një i huaj me banim në Shipëri ose në dëm të një shtetasi shiptar ose të një të huaji me banim në Shipëri, në vende apo shtetas të vendeve që e lejojnë bigaminë.” Ky tingëllon më shumë si një diskriminim ndaj shtetasve shqiptarë e të huaj, literalisht : një arab i martuar me 3 gra në Dubai, nëse vendosë që të vijë të jetojë në Shqipëri, po firmos burgosjen e tij në vendin tonë. Çështje më vete është nëse ky “banim” do të konsiderohet i përhershmi, apo dhe ato vanime 6-mujore, pushimet e 3 muajve të verës, 2-javore, apo do të konsiderohet banim edhe “qëndrimi” në një banesë “booking” për disa orë të ditës.
Nuk dihet ende sesi do të zbatohet kjo ndalesë ligjore mbi “bigaminë”, kur vendi ynë – në revistat sociologjike, në emisione televizive, e deri shkrime në media për një publik më të gjërë – diskuton prej sa vitesh mbi legalizimin e prostitucionit. Dhe si do të interpretohet kjo liri për të qënë të barabartë përpara ligjit, si diskriminim ndaj të personave të martuar, apo si “pretekst” për të marrë pasurinë e bashkëshorte(ë)ve?!
Monogamia është më tepër një zgjedhje fisnikërore, sesa një detyrim moral, e aq më pak duhet të jetë ligjore.
—Çfarë duhet të themi për martesat e komunitet LGBTQ+ që së fundi u legalizuan edhe nga vetë Papa i Romës ( Vatikanit Katolik) ?!… Po për biseksualët e biseksualet që janë pjesë e këtij komuniteti?!… A mos ligji në këtë rast po ndërhyn në aureolën e shenjtërisë së familjes, ku secili ka të drejtën – e Zotit – që ta konceptojë e ndërtojë ashtu siç dëshiron?!…
Në fakt, nëse ka diçka që duhet të rregullohet me ligj në vendin tonë, është privatësia, por jo kjo lloj privatësie që personalisht mendoj se i përket lirisë së zgjedhjeve e shijeve personale. Ajo që duhet të ndreqet është privatësia e shkelur pikësëpari nga gazetarët e mediat që guxojnë të nxjerrin emra, foto, video, e deri farefisni në intervista, duke cënuar “prezupozimin e pafajsisë”, apo duke cënuar Të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, gjer në rastet e fundit ku kemi sa femra të vetëvrara, për shkak të publikimit të materialeve personale në mediat sociale e deri televizive.