Traktati i Hierarkisë nga Adnand LLESHAJ

Hierarkia është një fjalë që gjithmonë më ka futur në mendime…
Në kuptimin origjinal e gjejmë në rrënjët etimiologjike të së ashtuquajturës “Greqishte e Lashtë”: ἱεραρχία/ierarkia (hierarkia); çfarë nënkupton rregullin e një prifti suprem, dhe “hierarkes” janë “rregullat e shenjta” që nxirrte kleri i tempujve fetarë. Si fjalëformim ajo del nga “ἱερός/ieros” (i shenjtë, mbinatyror) + “-άρχω/arko” (rregull). Pra “hierarkia” i binte të ishte rregulli suprem i Hierarkut, Kryetarit Fetar, i cili ishte një lloj detyrimi ligjor i pakontestueshëm prej të tjerëve.

Në gjuhën angleze, fillimisht “Hierarkia” ka hyrë me kuptimin e “rangut të tipeve të ndryshme të engjëjve në urdhërin qiellor”; kurse në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe e gjejmë si “Rendi i titujve, i gradave ose i përgjegjësive në administratën civile, ushtarake e fetare, nga më të ulëtat deri në më të lartat, sipas lidhjeve dhe varësive që kanë ndërmjet tyre; titujt, gradat ose përgjegjësitë në këtë rend; organizim shoqëror, i cili ndërtohet mbi bazën e këtij rendi titujsh, gradash etj. që kanë nëpunësit sipas pushtetit, sipas varësisë ose sipas të drejtave.” apo në kuptimin e dytë si figuracion “Shkallëzimi i dukurive të veçanta ose i pjesëve të një veprimtarie të caktuar, në të cilin njëra dukuri a pjesë është më e lartë se tjetra që e ndjek.”

Por nëse është e qartë se çfarë do të thotë hierarki brënda një organizimi shoqëror – si psh: administratë civile, gjykatë, prokurori, ushtri, etj… – han ende diskutim se si zbatohet hierarkia kur krahasimi duhet të bëhet ndërmjet 2 fushave të ndryshme, ku kanë komplet rangje e sisteme jo të njëllojta; aq më tepër kur kemi sa e sa lloje hierarkish… Qëllimi i këtij shkrimi është pikërisht përcaktimi i këtyre llojeve dhe nuk duhet kuptuar si një ndarje me thikë që njëra qëndron në mënyrë absolute vertikalisht mbi tjetrën, madje ka raste që në vende e kohë të ndryshme të ndodhë dhe e kundërta, madje edhe njëkohësisht në të njëjtin vend të zbatohen standarde të ndryshme hierarkish si psh. gjykatësi dënon prokurorin në sallën e gjyqit dhe vetë prokurori hap dosje hetimore ndaj gjyqtarit; ndaj, le të kthehemi edhe një herë tek kuptimi origjinal i antikitetit për të parë se si funksiononte hierarkia:

Dihet që pushteti fetar, në fillimet e tija, ka ecur paralelish me pushtetin politik qeverisës, shpeshherë duke konkuruar deri në “Teokraci”. Kjo është ruajtur deri në ditët e sotme, shiko rolin e Papës në botë, apo kurorëzimin e Mbretit Charles III nga Kryepeshkopi i Canterbury-t. Pa shtjelluar rolin e “magjistarëve” në shoqëritë parake, “priftërinjtë” sumerianë, “kryepriftin” egjiptian që konkuronte faraonin, e gjer në antikitet ku tempujt fetarë ishin të paprekshëm, e që këta vendosnin për fillimin/mosfillimin e luftërave, festat, taxat që duhet të paguheshin në tempuj për të zbutur “inatin” e perendive, martesat, e deri tek sakrificat njerëzore; duke patur një pushtet të pakushtëzuar mbi popullin, dhe pse nga ana tjetër njihej pushteti i udhëheqësit politik (mbret, faraon, senat, etj..). Në territorin e kontinetit që sot e quajmë Europë, për herë të parë këto pushtete ranë ndesh mes Hierarkut (fetar) dhe Prijësit të Qytet(shtet)it të Spartës, Leonidhës. Në gusht të vitit 488 p.e.s. dhe pse Hierarku e ndaloi popullin që të vente në luftë me pretekstin se do të mërziteshin perenditë nëse gjatë festave do të bëhej luftë e madje perenditë edhe do të hakmerreshin, Prijësi –që ishte komandant i forcave të armatosura – zhvilloi atë që njihet si “Beteja e Termopileve” me vetëm 300 ushtarë kundra (mbase) 1.000.000. ushtarëve persë pushtues; siç na dëshmon me aq sa mundet HERODOTI.

Pra, këtu – për herë të parë – kemi të bëjmë me një Hierarki Ushtarake që prevalon mbi Hierarkinë Fetare. Shembulli më i mirë në historinë botërore ku mund të shihet kjo lloj epërsie ushtarake mbase mund të konsiderohet ai i Napoleon Bonapartit, kur në qastet e fundit të kurorëzimit ai ia mori kurorën nga duart Papës duke u vetëkurorëzuar në Notre Dam-in e dhjetorit të 1804, çfarë solli mbylljen e një epoke tradicionale dhe nisjen e një revolucioni që në fakt kishte nisur që me Concordat-in e 1801-shit, por iu deshën mbi 100 vjet për të arritur deri tek ai që njihet si “Laiciteti Francez” i 1905-ës, sekuralizëm që u ndoq nga Mustafa Qemal Ataturku në 1923, etj.

Por dhe vetë Hierarkia Ushtarake, po të kthehemi rreth 900 vite përpara betejës së Leonidhës, do të shohim se ka një hierarki tjetër e cila qëndron mbi të. Po flasim për Hierarkinë Mbretërore, monarkike, që e gjejmë në debatet e Mbretit Agamemnon dhe Prijësit Ushtarak Akil, ku i pari i mori dhe “plaçkën” e luftës “Brisis”të dytit. Megjithëse në histori ka ndodhur shpesh dhe e kundërta, që hierarku ushtarak ka arritur që ta marrë pushtetin e sovranit.

Në vetë sovranin gjejmë atë që quhet Hierarki e Trashëguar. Kjo në vetvete ndahet në 3 kategori të ndryshme:

1.Hierarki e të Parëlindurit – Për hierarkinë e të parëlindurit, e cila ka afro 4000 vjet që zbatohet, nënkuptohet që fëmija që lind i pari, ka epërsi mbi fëmijët e tjerë, dhe zakonisht trashëgon fronin por, dihet që në kohën e Abrahamit Biblik egzistonte një rregull tjetër, rregulli i sakrifikimit të fëmijës së parë për nder të Perendisë Bali, dhe Abrahami ishte i pari që pretendoi se ka folur me Perendinë e Vërtetë dhe në ndryshim nga ligji i deriatëhershëm, sakrifikoi një qengj në vend të të parëlindurit të tij. Këtu kemi dhe themelimin e një sërë fesh që studiuesit e teologjisë i njohin si “fetë abrahamike”, ku përfshihen ato judaike, kristiane, islame, bahaike, druzizte, samaritanizte, rastafarike, etj…

2.Hierarki e Më të Vjetrit – Hierarkia e më të vjetrit, ka të bëjë me marrjen e fronit sovran prej më të vjetrit në moshë, ku përfshihen dhe xhaxhallarët, e të afërmit e tjerë.

3.Hierarki e Më të Fortit – Hierarkia e më të fortit, ka të bëjë me marrjen e pushtetit të trashëgimtarit më të fortë. E zbatuar tmerrësisht në Perandorinë Osmane ishte një lloj ligji që nga trashëgimtarët, fronin e sulltanit do e merrte ai që do të vriste të gjithë vëllezërit e tij.

4.Hierarki Më të Afërmit -Hierarkia e më të afërmit është zbatuar kur sovraniteti është kaluar tek bashkëshortja, motra, vëllai, fëmijët, apo edhe si në rastin kurorëzimit të Mbretëreshës Elisabetë të Mbretësisë së Bashkuar ku u ndoq një linjë më e largët trashëgimore.

Hierarkia Trashëgimore në vetvete ka një problematikë të madhe, sepse ka rastisur që linja e gjakut që do të merrte pushtetin përmes trashëgimisë të jetë dhe i paaftë, fëmijë, i metë nga mendja, e është bërë shkas për veprat “Rrobat e bukura të mbretit” nga Andersen, apo komeditë sarkastike të Molierit; në mos për humbjen e plotë të pushtetit.

Por sidoqoftë, përmbi të gjithë mbretëritë e sistemet monarkike, mbahet të jetë Perandoria, pra, kemi të bëjmë me Hierarkinë Perandoreke. Kjo sot për sot është e zbatueshme vetëm në Japoni. Megjithëse roli i Perandorit ka rënë gogja, deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore të gjithë ishin të detyruar të përuleshin përpara Perandorit, madje as duhet ta preknin, apo ta shihnin në sy, duke e trajtuar si faraon, si një lloj zoti a perendie.
I vetmi që nuk e zbatonte këtë rregull ishte profesioni i Mësuesit, pra, kemi të bëjmë me një Hierarki Arsimore, që vinte nga roli që kishte patur Arsimtari në pregatitjen e vetë Perandorit. Mësuesi e kishte bërë perandorin.

Dhe pamvarësisht se hierarkia arsimore pranohet të jetë përmbi të gjitha hierarkitë, – dhe për shkak të qëllimit të këtij shkrimi, këtu po fusim përpos mësuesve, edhe filozofët, psikologët, sociologët, juristët, antropologët, shkrimtarët, e intelektualët e tjerë që merren me studimet, punimet e kontributin për zhvillimin e shoqërisë – njihet një tjetër që mbisundon mbi të, kjo është Hierarkia Gjyqësore. Kjo është e njohur në Filozofinë e së Drejtës si Shkolla Amerikane, ku pretendohet se “ligji është ai që zbaton Gjykatësi në sallën e gjyqit”, dhe praktikisht është mbushamendëse, kur bëhet fjalë për vendin e konsideruar më demokratik në botë; por mua më pëlqen të kthehem 2400 vjet përpara në histori, kur një gjykatë në Athinë, dhe pse me dëshmi të rreme, arriti që të dënonte me vdekje mësuesin e filozofin Sokrat, i cili e pranoi këtë vdekje dhe pse iu dha rasti që të arratisej e të jetonte në syrgjyni. Visar Zhiti në veprimtarinë “Gjyqi i Nju Jorkut” në SHBA, në fjalën e tij përmendi një episod ku hierarkia gjyqësore e diktaturës enveriste dënoi Frederik Reshpja-n por ky i fundit, ndryshe nga Sokrati, nuk e pranoi aktakuzën. Dhe kur e pyetën se pse nuk e pranonte, përgjigjja e tij ishte se “Ka gabime ortografike!”
Por sado që vendimet e gjykatës mund të jenë të pabazuara, apo mbi dëshmi të rreme, prova të falsifikuara, e deri në gjykatës analfabetë; çfarë sjellin lirimin pas 39, 42 apo më shumë vite dënimi të padrejtë, e marrjen e pafajsisë; prapë Gjykata ka epërsi mbi hierarkitë e tjera, mjafton të kujtojmë vendimin e gjyqtarit federal James Robart që rrëzoi në 2017 rregulloren e Presidentit të SHBA Donald Trump, për ndalimin e emigracionit.

Megjithatë, ka një rregull të pashkruar që përgjithësisht zbatohet në gjithë botën. Ishpushtetarët dhe të pasurit nuk dënohen. Kemi zvarritje të stërgjata seancash gjyqësore si në rastin e italianit Berluskoni, francezit Zhak Shirak, e së fundi amerikanit Donald Trump. Madje dhe në çështjet për evazion fiskal – faktikisht vjedhje – që prekin pothuaj gjithë milionerët, bisnesmenët, këngëtarët, futbollistët, e të pasurit e tjerë. Këtu kemi të bëjmë me zotësinë e juristëve për të shfrytëzuar hapësirat ligjore, ndikimet politike, por shpesh gazetaria investigative ka hedhur akuza edhe për korruptimin e gjykatave. Nëse do të besonim këtë të fundit, do të dilte Hierarkia Ekonomike. Në gjuhën shqipe ndaj kësaj kategorie përdoret rëndom shprehja “Është i Zoti!” dhe gëzohet ndaj tyre një respekt i veçantë i përzier me pak ndroje e deri frikë. Madje politikanëve sado që u kërkohet të denoncojnë “oligarkët” në intervistat e tyre, asnjëri përpos Arlind Qorrit nuk guxon as që tu përmendë emrat atyre që qëndrojnë majave të kësaj hierarkie. Aq e rëndësishme është kjo lloj kategorie sa Qeveria Shqiptare ka rreth 2 vite që diskuton “Amnistinë Fiskale” gjer në shumën 2 milionë euro, pamvarësisht mënyrës së fituar të kësaj shume. Kjo lloj amnistie në fakt ka ngritur ekonominë e Zvicrës përmes bankave të saj, dhe pse tashmë kanë filluar kufizimet në depozitimin e parave në këtë shtet. Në përforcim të këtij lloj vlerësimi amerikanët kanë nxjerrë atë shprehjen “Ti vlen aq sa paguhesh!”, ose “Paratë flasin”, kurse tek ne – disa – ia faturojnë Qazim Mulletit shprehjen përballë shatërvanit “Parja e qon ujin përpjetë!”

E aty ku do të ketë pasuri ekonomike, do të ketë gjithnjë edhe ndokënd që është i gatshëm që të japë edhe jetën për ta përvetësuar këtë pasuri në mënyrë të shpejtë, duke përdorur çdo lloj mënyre, nga vjedhja deri në grabitje me armë. Dalim tek Hierarkia e Forcës, që duket sikur e kemi cekur cazë tek hierarkia e trashëguar, por këtu do e shtjellojmë duke e ndarë në:

1. Hierarki Fizike – kjo është e njohur që në kohët primitive, më i forti “bënte ligjin”, prijësit e fiseve zgjidheshin nëpërmjet dueleve apo sprovave të ndryshme. Mundje, thyerje dore, kush hidhte një peshë më larg, shtizën, etj. Vetë shtetet kanë ngritur struktura të posqme force si ushtri, detari, aviacion, polici, etj. ku për të hyrë në radhët e tyre duhet të kalohen disa norma fizike elementare, të cilat në fakt përsëriten vit për vit, dhe nëse nuk kalohen, plotësohen kushtet për përjashtim. Ne ishim mësuar të shihnim policë që e kishin “barkun tek goja”, që jo vetëm nuk mund të vraponin, kapnin normat e vrapit, apo një kriminel, por që ngatërroheshin duke ecur qetësisht në këmbë, rrëzoheshin në këmbët e veta, madje dhe të plagoseshin.

2.Hierarki teknike – qëndron mbi atë fizike, sepse në forcë qëndron ai parimi që “është më mirë të dish, sesa të kesh”. Për këtë mjafton të marrim rastin e një përplasjeje fizike të një boksieri me një qytetar të thjeshtë në rrugë, kur teknika profesionale e boksierit në gjykatë shihet si një “armë”.

3.Hierarki teknologjike – teknologji është një term i gjërë që përfshin në gamën e saj çdo lloj mjeti teknik, që nga armët, sistemet e alarmit, e deri tek tanqet, aeroplanmbajtëset e raketat bërthamore; përmes të cilave krahasohen superfuqitë botërore, e “nxjerr dhëmbët” edhe Koreja e Veriut.

4.Hierarki gjinore – kjo në fakt tingëllon si diskriminim por është fakt se biologjikisht ndërmjet kromozomeve XX (femër) dhe XY (mashkull) ka një ndarje fuqie të dallueshme. Mjafton të shohim tabelat olimpike të garave të notit, vrapit, kërcimit së larti, etj. për të kuptuar se rekordet e gjinisë femërore as që ia afrohen garuesve që “i ka falë zoti” meshkuj. Lëvizjet feministe dhe komuniteti LGBTQ+ në sajë të pretendimeve për Barazi Gjinore kanë sjellë atë që shumë dijetarë e konsiderojnë “Diskriminim i Femrave”: 2 peshëngritëset më të mira për femra në Kanada janë biologjikisht meshkuj (Anne Andre dhe ), William Thomas renditej i 462 në garat për meshkuj por u kthye në kampionen numër 1 të garave për femra nën emrin Lia Thomas në USA, i lindur si Boyd Burton – i pari atlet transgjinor në MMA – Fallan Fox i theu kafkën Tamikka Brents-ës në një dyluftim pas të cilit kjo e fundit u shpreh se “në asnjë ndeshje tjetë me femra nuk e kishte ndjerë atë lloj fuqie siç e kishte ndjerë me Fox-in”. Më 4 Prill 2023 World Athletics shpalli që femrat transgjinore që kanë kaluar pubertetin mashkullor nuk do të lejohen më të garojnë në eventet femërore të kompeticioneve ndërkombëtare.

5. Hierarkia rracore – dhe pse teoria e rracave ka rënë dhe antropologët e kanë hedhur poshtë me kohë këtë lloj ndasie, prapë, po të shohim rezultatet e vrapuesve më të mirë në sportet olimpike botërore do të vërejmë sportistët nga Kenia apo Etiopia që kryesojnë listat e kampionëve. Kjo mun të shpjegohet përmes predispozitave gjenetike, hundës së gjërë që thith më shumë oksigjen, konstruktit të trupit, skeletit apo muskujve, dietës ushqimore që kanë këto vende, etj. Sidoqoftë, historia e tmerrshme e Luftës së Dytë Botërore me Hitlerin, ende tharton me luftën e padrejtë rracore dhe genocidin që u bë ndaj rracave jo ariane. Duhet ritheksuar se rraca 100% e pastër nuk egziston, dhe se ndër mijëravjeçarë popujt e etnoset janë kryqëzuar me kufitarët, kaluesit, tregtarët, e me pushtuesit.

5.Hierarki psikologjike – në këtë rend dua të fus “psikën” në kuptimin origjinal të fjalës, pra “frymëmarrjen, shpirtin” e njeriut. Tek kampionët kenianë e etiopianë psh. nuk duhet përjashtuar etja motivuese për të fituar çmimin e parë si një nevojë e skajshme ekonomike mbijetese. Është i njohur guximi, vullneti e përpjekja si faktor që disa i shtyn më përpara sepse “suksesi i takon atij që guxon e beson” më shumë sesa atij që është më i mirë. Në shqip do i korrespondonin fjalët “zemërluan, sypatrembur, shpirtpamposhtur, etj.” që janë cilësi favorizuese për ata që i kanë.

6.Hierarki mendore – tek kjo kategori dua të kuptohet pregatitja arsimore, dija, tërësia e njohurive që disponohen, por dhe vetë niveli i IQ (Intelligent Quotient / Herësi i Inteligjencës) që normalisht tek disa është më i lartë e i fuqishëm sesa tek disa të tjerë. Në kuvendet, odat e megjeliset shqiptare ishte e rëndësishme që “Mendjen” ta vinin në krye, anës oxhakut, pamvarësisht pozitës së tij në shoqëri se përndryshe “të kthehej muhabeti nga bytha” siç ka rastisur në Dibër kur Marka Brungën e kishin vënë në fund, anës derës e pas përgjigjeve të tij, e nxorën në sofrën e oxhakut; ama, duhet të dihet dhe të frenohen ata që hynë përsëmbrapshti në muhabet. Napoleon Bonaparti ndryshoi titujt kalorsiakë që jepte mbreti për ushtarakët pasi pa se shumë disponues të këtyre titujve – edhe të trashëguar – ishin totalisht të paaftë e jo vetëm që nuk e kryenin fuksnionin që duhet të kishin, por edhe prishnin punë në luftë, ndaj gradoi në bazë të zgjuarsisë, mendjes e meritokracisë.

7.Hierarki krijuese – njerëzit ndahen në konsumatorë e krijues. Konsumatorët “hanë” – sipas nivelit të tyre – atë që u jepet: zbatimi i një projekti ingjinierik a arkitekturor nga muratori, elektriçisti, hidrauliku etj.; kryerja e një pune të parapërcaktuar, zbatimi i një urdhëri, kopjimi i një vepre… por ky tip ngec tek aftësia për të përballuar një situatë të re, të panjohur, të padëgjuar e të papërcaktuar. Për një situatë të re, duhet gjithnjë një zgjidhje e re, dhe në këtë lloj aftësie për ti dhënë zgjidhje një çështjeje të pahasur më parë sigurisht që favorizohet forca e mendjes së individit krijues.

Por nëse tek hierarkia e forcës veprohet më shumë sipas një instinkti natyror, sado të ushtruar e perfeksionuar teknikisht, me mjete të posaqme, apo mënyra të tjera; njeriu s’do të ishte asgjë pa qënë fillimisht “një gjallesë politike” dhe në kuptimin origjinal “pilotike” rrjedh nga “polis” që ishte “qytet, qytetshtet”, pra një gjallesë që ka Hierarki Qytetare. Këtu dalin një mori kategorish si:

1.Hierarkia Tradicionale – që ka të bëjë me hierarkinë e rregullave të trashëguara, traditën, zakonin e tërë korpusin që është kaluar brez pas brezi nga ati tek biri, nëna tek bija, nga familja në familje, etnosi në etnos, kulturë në kulturë, popull në popull. Këtu hynë parimet e rregullat fisnikërore që ende ruhen me fanatizëm nga familjet e larta, e deri tek familjet mbretërore të monarkive.

2. Hierarkia Qytetare – në dokumentet historike është një episod ku Aleksandri i ri i Maqedonisë nuk lejohet që të marrë pjesë në garat olimpike të Athinës ngase ishte barbar, dhe me barbar duhet të kuptohet ai që është i huaj, i jashtëm, që flet një gjuhë të ndryshme nga jona. Afërmendsh që Aleksandri që më vonë do të njihej me mbiemrin “I Madh i Maqedonisë” fliste një gjuhë ilire. Pas një debati të madh juria olimpike ia pranoi të drejtën për të garuar, por sërish parimi mbeti. Aristoteli që ishte dhe mentori i Aleksandrit e frymëzoi me idenë se skllavëria është një fenomen natyror dhe se të huajt duhet si skllavëronte e trajtonte si kafshë. Në Perandorinë Romake qytetaria ishte një privilegj jo vetëm politik por edhe status ligjor i njerëzve të lirë lidhur me ligjet, pronën e qeverisjen. Në kuptimin ligjor qytetaria është “shtetësia” në një shtet të caktuar me të drejtat dhe detyrat e vendosura me ligj. Por termi është shumë më i gjërë, duke përfshirë vetëdijen për rolin në shoqëri, dhe kontributin që jep për ta përmirësuar atë.

Bashkimi bën fuqinë, dhe Hierarkia Numerike, sasiore e shumatore është një ndër parimet që ka udhëhequr njerëzimin që nga fazat e tij parake, që kur në lashtësi njerëzit mbijetonin sëbashku në shpella, ushtritë e para fisnore, parimet e demokracisë – demos/popull + kratos/shtat; shteti i popullit – në Athinën antike ku shumica vendoste përmes votave të saj, revolucionet ku turmat e qytetarëve të pakënaqur kanë përmbysur sisteme monarkike, diktatoriale e deri tek rregjimet më tiranike; e deri në ditët e sotme ku “mbështetja” numerike shihet edhe digjitalisht nga numri i ndjekësve, shikuesve, “followers-ave” në rrjetet sociale që politikanët e gazetarët e kuptojnë shumë mirë që është një pushtet më vete që influencon në shoqëri.

Megjithatë, historia ka treguar se shumica – dhe pse ka arritur të përbashkohet e njëjtësohet në një ide a vendim, që ka quar jo pak herë deri në ekzekutimin e atij që ishte kundra; sepse zakonisht e reja nuk përqafohet nga masa, e të menduarit ndryshe përgjithësisht shihet si një arsye për të nisur një konflikt nga të prapambeturit – e ka patur gabim. Filozofi Jezu Krisht u kryqëzua sepse po ndryshonte ligjet e trashëguara fetare (prostitucioni dënohej me vrasje me gurë përpara tij), Xhordano Bruno u dogj i gjallë në 1600-ën nga turmat, Koperniku u “detyrua” të tërhiqej nga heliocentrizmi, Galileo Galile u burgos, etj. Sot njihet parimi që në shkencë nuk ka rëndësi sesa ithtarë të përkrahin, apo se sa është shumatorja numerike që të del kundra, sepse e vërteta shkencore është diçka e pavarur nga shifrat mbështetëse dhe renditet në atë që unë do e quaj Hierarki Shkencore.

E nëse patët dëshirën, kurajon, e mirësinë për të më lexuar deri këtu, më lejoni të shtoj edhe një hierarki të fundit, ju lutem!… Hierarkia Shpirtërore. Kjo është ajo të cilën personalisht e vlerësoj si pikësynim e arritje a-priori të të gjitha përshkallëzimeve që mund të njihen. Kjo del jashtë edhe teorisë së Abraham Maslow mbi hierarkinë ku renditen nevojat sipas rëndësisë. Sepse suedezët e japonezët mund ti kenë plotësuar të gjitha ato nevoja në shkallën më të lartë për nga niveli i jetesës e prapë numrin e vetëvrasjeve e kanë më të lartin në botë. Nga ana tjetër një i pastrehë fare në afrikë apo në rrugët e NjuJorkut mund të jetojë një jetë të lumtur, dhe pa i plotësuar gjithnjë nevojat fiziologjike për ushqim, ujë e strehë që Maslow i rendit si themel në piramidën e tij hierarkike. Gjendja shpirtërore është mënyra si ndihesh, ajo që sot konsiderohet si pasuri jomateriale e studiuesit e universiteteve më në zë të botës po rreken ta kuptojnë se çfarë e bën njeriun të lumtur, cila është baza e kësaj pasurie shpirtërore (?!…)…

@Adnand_LLESHAJ
#AdnandLLESHAJ

Author: info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *