Vijon fuqizimi i kapaciteteve spitalore, Manastriliu në QSUT: 44 respiratorë të rinj me financimin e qeverisë

44 respiratorë të rinj i janë shtuar flotës së aparaturave jetëshpëtuese, me financim nga buxheti i shtetit për përballimin e epidemisë në vend. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu, deklaroi nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” se, se nuk janë ndalur në asnjë moment përpjekjet për fuqizimin e kapaciteteve spitalore për përballimin e situatës së COVID19.

 

“Edhe 44 respiratorë të rinj, të avancuar dhe me standarde i shtohen flotës së aparaturave, një investim i buxhetit të shtetit për këtë vit, për përballimin e epidemisë. Me investimet që kemi bërë, me mbështetjen që kemi patur, kemi sot 507 respiratorë në dispozicion të strukturave tona Covid dhe jo Covid, nga 200 që ishin në fillim të epidemisë, pra ky kapacitet është rritur më shumë se 2.5 herë”, tha Manastirliu.

Respiratorët e rinj janë të dedikuar për QSUT, për spitalin “Shefqet Ndroqi” por edhe për spitalet rajonale. Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se po bëhen përgatitje për hapjen edhe të spitaleve rajonale, sipas skenarëve të parashikuar.

“Nuk do të lëmë pa forcuar edhe kapacitetet e spitaleve rajonale, pasi sikurse ne e kemi planifikuar, 5 spitalet e para rajonale tashmë janë bërë gati. Flota e aparaturave gjithashtu është e gatshme dhe pritet që të fuqizohet në vazhdim. Janë 600 shtretër në dispozicion në skenarin e parë dhe në tërësi 1600 shtretër për t’u përballur me situatat që mund të vijnë si pasojë e pandemisë Covid19”, tha Manastirliu.

Dr. Krenar Lila, i ngarkuar si përgjegjes i reanimacioneve të spitaleve COVID, u shpreh se spitalet janë pajisur me pajisje cilësore, të cilat ndihmojnë për trajtim më të mirë të pacientëve dhe numri I respiratorëve është rritur ndjeshëm.

“Janë ndihmesë shumë e madhe në punën tone, pasi shërbimi i pacientëve në radhë të parë do të kryhet më mirë, por edhe ne kemi kënaqësi sepse do të punojmë në kushte shumë më komode. Janë pajisje që ne na vlejnë shumë në periudhën e trajtimit të pacientëve me Covid19”, tha Lila.

Në prag të festave të fundvitit, ministrja Manastirliu ka bërë të ditur se strukturat shëndetësore do të jenë në gatishmëri të plotë, ndërkohë ka kërkuar edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të shmangur grumbullimet dhe respektuar rregullat për parandalimin e COVID19.

“Jemi në një periudhë festash, ku padyshim që i gjithë ekipi i shëndetësisë është në gadishmëri, edhe të shtuar madje, në alert. Por duhet edhe të ndërgjegjësojmë qytetarët, të kenë kujdes në këtë periudhë, për të festuar brenda familjes së vogël dhe për të mos pasur më pas shkaqe të cilat të na çojnë në rritje të numrit të infektimeve, për arsye të grumbullimeve në kuadër të festive”, theksoi Manastirliu.

(BalkanWeb)

Author: 123albania