Në emisionin “Historia ime” ka qenë 23-vjeçarja Ariela Dema e cila ka rrëfyer se është birësuar nga halla dhe bashkëshorti i saj kur ka qenë e vogel sepse ata nuk bënin dot fëmijë.
Ajo ka treguar se ka pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me bashkëshortin e hallës që i thërriste xhaxhi. E rritur pranë tyre, Ariela ndihet e lumtur dhe krenare për ta dhe i do ata si prindërit e saj biologjikë.
Xhaxhi i saj i cili ishte edhe ish-zv.drejtor i Policisë së Tiranës u diagnostikua me tumor, sëmundje të cilën e luftoi me vullnet të hekurt për 12 vite. Në muajin Janar të këtij viti, halla dhe bashkëshorti i saj i prenë Arielës ditën e dasmës.
Në fillim të pandemisë, në muajin Mars të këtij viti, xhaxhi ndërroi jetë. Para dy muajsh, dhe pse zemërthyer nga humbja e tij, ajo u martua me djalin që donte, për të zbatuar amanetin e tij. Tashmë ka dy muaj që është e martuar, ka ndërtuar një familje të re, por e shoqërojnë kujtimet dhe dashuria e xhaxhait në çdo hap që hedh.
Mirela Milori: E ke pak peng që u nda në periudhën e Covidit dhe nuk patët mundësi t’i bënit atë përcjellje siç do donit apo jo?
Ariela Dema: Unë e kam peng ndarjen e tij për dy gjëra. E para sepse ai më ndau ditën e dasmës dhe nuk mundi të ishte i pranishëm. Unë kam qenë në një dilemë shumë të madhe, gjendja e tij shëndetësore ishte drejt përkeqësimit, megjithatë ai ishte shumë i vendosur që do ta ndajmë dhe e ndamë ditën e dasmës. Më pas dasma ishte ndër të tjera si një datë e ndarë prej tij të cilën unë vendosa ta dërgoja deri në fund.
Mirela Milori: Në fustanin tënd është një flutur.
Ariela Dema: Atë ditë ishte i çuditshëm fakti që flutura nuk më është ndarë për asnjë moment. Sikur vinte drejt nga parajsa. Ishte vërtet e mrekullueshme dhe nuk më ndahej për asnjë moment, më vinte rreth e rrotull për gjatë gjithë kohës dhe për këtë ju betohem, kam dhe dëshmitarë, më ndalonte herë në supe, herë në fustan dhe i thashë fotografit të lutem shpejto që ditën e dasmës ta kem një foto me xhaxhin në një mënyrë apo në tjetrën.
Është kujtim i bukur. E ndjej gjithmonë pranë dhe më ndihmon në çdo hap të jetës edhe në këtë rrugëtim të ri të jetës që kam ndërmarrë e sapo martuar. Ai më shfaqet shpesh në ëndërr dhe ajo që është e çuditshme është se ëndrrat e tij kanë një mesazh. Herë më thotë mos u mërzit, herë më thotë që do ia dalësh, herë më thotë kam zemrën e ngrohtë dhe do ndodhin gjëra të mira. Them që e sot e kësaj dite marrëdhënia jonë është hyjnore. /tvklan.al