Sonte nisin masat e reja shtrënguese, gjithçka që duhet të dimë

Sonte në orën 20:30 futen në fuqi masat e reja shtrënguese në kuadër të luftës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri. Komiteti Teknik vendosi 3 ditë më parë që duke nisur nga sonte në 20:30 lëvizja të kufizohet akoma më shumë. Kështu nga ora 22:00 që ishte më parë ora policore sonte duhet të futemi në shtëpi që në 20:30 për të rinisur aktivitetin të nesërmen në 06:00. Nga ky rregull bëjnë disa përjashtime. Këto masa do të jenë për festat, ndërsa prej datës 5 Janar kufizimi i lëvizjes rikthehet në orën 22:00, por ashtu edhe i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve.

VENDIMI I PLOTE

– Kufizimin e lëvizjes së popullatës nga ora 20:30 deri në orën 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar. Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme.

– Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.

– Prej datës 5 Janar kufizimi i levizjes rikthehet në orën 22:00, sipas specifikave që tashmë të gjithë i njohim.

– Po ashtu, kemi marrë vendim: kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 Dhjetor deri në datën 4 Janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë, pra atë delivery.

– Prej datës 5 Janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00.

– Po ashtu rekomandojmë të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore.

Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës.

Author: 123albania