5 bimët e çuditshme që tregojnë se nuk e njohim ende planetin Tokë

Sipas një studimi të kryer nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, ka rezultuar se në planetin tokë ka rreth 422.000 bimë. Ky biodiversitet i mahnitshëm shpjegon qartë pse shohim kaq shumë lloje të ndryshme të bimëve dhe luleve me ngjyra, forma dhe madhësi të ndryshme. Por kjo mund të shpjegojë pse, herë pas here, ne gjithashtu hasim në bimë që janë aq të çuditshme dhe të pazakonta, sa mund të themi se vijnë nga një planet tjetër.

Revista e njohur ‘Bright Side’ ka bërë publike një artikull me disa nga bimët më unike dhe të çuditshme që mund të shihni në Tokë dhe të kuptoni se ende nuk keni parë çdo gjë në këtë planet.

Hydnora afrikane

Kjo bimë është endemike në Afrikën e Jugut dhe rritet kryesisht nën tokë. E vetmja pjesë e saj që bëhet e dukshme është lulja e saj prej mishi. Por nëse duhet të ndalemi dhe të përshkruajmë karakteristikën kryesore të kësaj bime , do të duhet të flasim për erën e saj të qelbur. Ajo përdor këtë erë të tmerrshme për të tërhequr pjalmuesit e saj natyralë, mes tyre, brumbujt. Kur brumbujt zbarkojnë në Hydnora afrikane, ata bllokohen përkohësisht në lulet e saj, të cilat veprojnë si kafaz. Kur lirohen, ata marrin me vete polenin, gjë që lehtëson përhapjen e bimës.

Drosera capensis

Kjo specie mishngrënëse e çuditshme, e quajtur Drosera , njihet më shumë me emrin ‘Kepi i Diellit’ për shkak të mukozës ngjitëse që del nga qimet e saj. Kjo është një mënyrë tjetër për të përshkruar lëngun që mund të shihni në foton në të djathtë që ndihmon këtë bimë të tërheqë prenë e saj, të cilat janë kryesisht mizat. Kjo specie e quajtur capensis , endemike në Afrikën e Jugut, është një nga bimët mishngrënëse më të çuditshme dhe më të veçanta të njohura për njerëzit për shkak të mënyrës në të cilën ajo paloset në vetvete për të kapur insektet.

Lithops

Në shikim të parë ato duken si gurë, por mos lejoni që sytë tuaj t’ju mashtrojnë. Lithops është një nga bimët vendase në Afrikën e Jugut. Emri i tyre në greqishten e lashtë do të thotë “i formuar si gur”, një tipar evolucionar që i lejon ato të maskohen në mjedis dhe t’u mbijetojnë grabitqarëve.

Rafflesia arnoldii

Rafflesia arnoldii gjendet në pyjet e lagësht të Indonezisë dhe ka një lule që mund të arrijë gati një metër në diametër dhe peshon deri në 11 kilogramë. Nëse Rafflesia arnoldii nuk fiton titullin ‘Lulja më e madhe në botë’, atëherë nuk e dimë çfarë të themi më shumë! Kjo lule është larg e të qenurit ‘lule romantike’ pasi ajo lëshon një erë të keqe duke tërhequr mizat që e pjalmojnë. Kjo lule është një bimë parazitare pasi rritet në rrënjët e pemëve nga ku merr ushqyesit e nevojshëm.

Dracunculus vulgaris

Një lule vjollcë me një kërcell të madh është bimë endemike për Ballkanin. Ajo njihet me emra të ndryshëm, si: zambaku dragua, zambaku vudu, zambaku i gjarprit dhe dragoi i zi. Ajo ka aftësi të rritet në një temperaturë të ulët deri në 18 gradë celsius. Kjo lule ka një erë të ngjashme me mishin e kalbur për të tërhequr pjalmuesit e saj.

Përshtati për Fjala.al Restina Guri./fjala.al

Author: portali