90 kilometra larg Tiranës dhe nuk kanë ku lindin, gratë shtatzëna në protestë

Nesër në qytetin e Burrelit pritet të mbahet një protestë aspak e zakontë për vendin tonë. Mësohet se disa gra shtatzëna do të dalin të protestojnë, pasi prej disa kohësh tashmë në spitalin e qytetit nuk ka një mjek gjinekolog dhe ato nuk kanë se me kë t’i kryejnë konsultat e tyre gjinekologjike.

Sipas njërës prej grave protestuese, Mirela Malkja, duke folur për ‘Fax News’ është shprehur se mjeku është larguar që prej katër javëve dhe në spital u kanë thënë të presin edhe pak. Sipas saj tashmë kanë kaluar shumë kohë dhe janë disa gra shtatzëna që kanë nevojë për këto konsulta, pasi jo të gjitha kanë mundësinë të shkojnë në spitale private, për shkak të kostove të larta e të papërballueshme.

“Shumica e grave shkojnë për t’i kryer konsultat ose për të lindur në spitalin e Lezhës apo të Rrëshenit, por edhe këtu dërgohen ato raste më urgjente. Në Tiranë nuk nisen dot, sepse atje nuk pranohen pa një konsultim të mëparshëm”, shprehet znj. Malkja.

Ndërkohë, e pyetur për mungesën e mjekut në spitalin rajonal, ajo u shpreh se thuhet se atij i është ofruar një kontratë pune 6-mujore, ndërsa ai e ka dashur pa shkëputje dhe kjo flitet të ketë shkaktuar këtë situatë.

“Ne jemi drejtuar edhe në Tiranë, edhe Ministrisë së Shëndetësisë, e-mailet nuk funksionojnë, telefonat nuk i hapin dhe as më pak t’i përgjigjen letrave tona. Në protestë do jemi disa gra, por që shpresoj që kjo kauzë të shkojë deri në fund deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare”. /Faxweb

Author: admin