Nga pozat provokuese te veshja islame/ Shkëndije Mujaj: Jeta ime ka qenë totalisht ‘bosh’

Këngëtarja e njohur Shkëndije Mujaj, e cila postonte fotografi provokuese me veshje ekstravagante në rrjete sociale ka ndryshuar në mënyrë drastike.

Ajo vendosi t’i përkushtohej fesë islame dhe të bëhej praktikante. Ish-këngëtarja ka folur në një emision se ndihet e turpëruar me jetën e mëparshme dhe e quan “boshe”. Gjithashtu ajo nuk mendon të rikthehet në muzikë.

Në rrëfimin e saj, Shkëndija tha: “Në kohën kur nuk kam qenë e fokusuar te Islami, natyrisht që do të merresha me diçka. Humbja e kohës në këtë botë është muzika, sporti. Mua më ka pëlqyer gjithmonë muzika dhe pozat, udhëtimet e gjëra që tani nuk më çojnë peshë e nuk më tërheqin më, pikërisht prej religjionit që janë të ndaluara.

Unë nuk po jetoja në qetësi shpirtërore, edhe atëherë kur kam qenë, unë i kisha të gjitha, mirëpo sipas Islamit, në çdo zemër, në qenie njerëzore është një vend që Zoti e ka lënë për vete dhe nëse ajo nuk ushqehet gjithmonë, do të ndjehesh bosh. Çdo person që është në showbiz, atë e ka të zbrazët dhe secili kalon në periudha dhe faza të këqija shpirtërore, që para publikut, qeshin, mundohen të shesin sa më shumë që të fitojnë, por në aspektin shpirtëror janë totalisht bosh, por nuk e tregojnë atë pjesë. Kështu kam qenë edhe unë.

Në fakt, asnjë person nuk mund të kalojë nga sot nesër të bëhet 100% perfekt. Islami është një religjion perfekt dhe unë mundohem sadopak, sa më shumë të përmbush dhe unë akoma jam në proces mësimi. Kjo vëmendje, po, është fakt që më ka mbetur nga e kaluara se sadopak ata njerëz që më përcjellin dhe më shkruajnë se ku jam e çfarë bëj”.

Author: admin