Historia e panjohur që nxiti arratisjen e ministrit/ “Kur Enveri i shkoi në shtëpi për vdekjen e të vëllait që e helmoi Sigurimi, Panajoti i tha…”

Publikohet historia e panjohur të gjeneral-major Panajot Plakut me origjinë nga fshati Hoçisht i Devollit të Korçës, i cili pasi u diplomua në shkollën “Normale” të Elbasanit në vitin 1936, u kthye në qytetin e Korçës ku u lidh me grupet komuniste dhe në periudhën e pushtimit të vendit 1939-1944, ai u angazhua në Lëvizjen Antifashiste dhe për aktivitetin e tij u arrestua e u burgos nga autoritetet italiane në qytetin e Durrësit e pasi u lirua, doli në radhët partizane, duke u emëruar si zëvendës komisar i Brigadës së Parë Sulmuese të komanduar nga Mehmet Shehu, që me formimin e saj në gushtin e vitit 1943, në fshatin Vidhkuq të Korçës.

Si i ngjiti shkallët e karrierës ushtarake Panajot Plaku pas mbarimit të Luftës, duke filluar nga komisar dhe komandant Divizioni në rrethin e Korçës, komandant Korpusi, Drejtor i Drejtorisë Operative dhe zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore me gradën e gjeneral-major, zv/ ministër i Mbrojtjes Popullore për Drejtorinë e Kufirit, e deri tek posti i ministrit pa Portofol në qeverinë që kryesohej nga Mehmet Shehu?

Si mundi të arratisej nga Panajot Plaku nga Shqipëria në qershorin e vitit 1957 (kur mbante funksionin e ministrit pa portofol dhe Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Gjeologjinë) duke kaluar fshehurazi kufirin shtetëror në afërsi të liqenit të Pogradecit dhe të dilte në Jugosllavi, ku u vendos në Beograd si azilant politik dhe i dërgoi një letër udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, duke denoncuar të gjitha krimet e Enver Hoxhës dhe regjimit të tij?! Misteri i vdekjes së Panajot Plakut në vitin 1966 në hotelin ku banonte në Beograd dhe çfarë shkruante ai në kujtimet e tij për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat i përmblodhi për t’i botuar në një libër me titull “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”, dhe pas vdekjes së tij ai u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate (nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit), libër që pati një jehonë të madhe dhe u botua më pas nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës në gjuhën shqipe në vitin 1985.

Gjatë periudhës që Panajot Plaku qëndroi në Jugosllavi,i akomoduar në një Hotel në qendër të Beogradit si azilant politik, ai shkroi kujtimet e jetës së tij dhe ato që dinte e kishte dëgjuar për Enver Hoxhën e udhëheqjen e lartë të PPSH-së, të cilat në vitin 1965, i përmblodhi në një libër të titulluar “Dhuna mbi revolucionin në Shqipëri”. Ai libër u përkthye edhe në gjuhën serbo-kroate nga Predrag Vuqiviq, redaktor i gazetës “Borba” dhe Vela Popoviq, redaktor i Televizionit të Beogradit, si dhe u botua në gjuhën shqipe në vitin 1985 nga Shtëpia Botuese “Rilindja” e Prishtinës. Përveç dëshmive të familjes së Panajot Plakut (të dhëna ekskluzivisht për autorin e këtij shkrimi), pjesa e kujtimeve që po botojmë në vijim në këtë cikël shkrimesh, janë marrë nga ai libër që vazhdon të mbetet i panjohur për lexuesin shqiptar!

Letra e ministrit pa portofol, gjeneral-major Panajot Plaku, dërguar nga Beogradi në 1957-ën, udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov

Prej këtyre gjërave që u thanë shihet qartazi se unë, familja ime dhe tërë farefisi im, kemi qenë të lidhur ngushtë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe, për këtë arsye, ikja ime nga Shqipëria, mund të duket e pakuptueshme! Unë kam qenë i detyruar të iki, ta braktis atdheun, popullin, Partinë, familjen, për të cilët kam qenë i gatshëm në të kaluarën, e jam i gatshëm edhe tashti ta flijoj jetën time.

Kam qenë i detyruar të iki për shkak se isha i informuar se udhëheqja e Partisë së Punës të Shqipërisë, kishte vendosur të më likuidojë, me ndihmën e organeve të Sigurimit të Shtetit. Unë nuk i di me saktësi shkaqet, që e kanë detyruar udhëheqjen që të marrë një vendim të tillë, për shkak se asnjë nuk më ka folur për këtë, por kuptova se vendimi i tillë, ishte marrë në bazë të ndryshimit të qëndrimit ndaj meje, të cilin e vërejta te udhëheqësit kryesorë të Partisë sonë dhe në bazë të fjalëve të tyre. Por, mendoj se ekziston një shkak, të cilin do ta shpjegojë në vazhdim. Vijon…./shqiperiaime.com.al

Author: admin