A i trembet Meta shpalljes ‘non-grata’ nga SHBA? Ilir Meta publikon letrën që i dërgoi ambasadorja Yuri Kim

Presidenti i Republikës Ilir Meta u pyet nëse i druhet ai një shpalljeje “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas mbështetjes që i ka dhënë ish-kryeministri Sali Berisha dhe pas përplasjeve me ambasadën e SHBA në Tiranë.

“Unë nuk jam veshur si grua për të bërë foto me Presidentin e SHBA dhe as kam paguar para ruse apo jugosllave për të takuar Presidentin e SHBA. Marrëdhëniet e mia me SHBA dhe me Ambasadën janë të shkëlqyera” – tha Meta në Syri Tv.

Meta zbuloi edhe një letër që i kishte dërguar ambasadores Yuri Kim përpara tubimit të 2 marsit 2020.

“Më mori në telefon ambasadorja që në atë kohë ishte në SHBA. Më tha për mitingun e 2 marsit. Tha sikur të shmangej tubimi meqë po vinte pandemia. Këtu nuk kishte akoma infektime, por në Itali kishte raste.

I thashë që ne kemi thënë që duhet të presim Venecian ndërsa këta donin të merrnin Gjykatën Kushtetuese te Lana për 10 sekonda. Dhe unë i kam dërguar një letër asaj. Ja ku e kam.

I kam thënë që kur PS të miratonte ligjin për të legjitimuar betimin te Lana dhe unë ta ktheja dhe PS të priste sa të shprehej Venecia. I kërkova që të shprehej me një deklaratë kundër këtij akti të njëanshëm nga mazhoranca.

I kërkova që bënim një hetim të plotë të asaj që po ndodhte me reformën në drejtësi, kjo edhe për ekspertët ndërkombëtarë. Nëse nuk merrja garanci për të paktën njërën nga pikat unë do të vazhdoja me mitingun e 2 marsit.

Ajo kishte shumë punë dhe nuk më ktheu asnjë përgjigje. Është punë e saj” – tha Meta që shtoi se nuk do të pranonte një mandat tjetër si President./shqiperiaime.com.al

Author: portali