Festa e Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë na mblodhi sërisht në Kishën “Zoja e Shkodres” në New York

Festa e Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë na mblodhi sërisht në Kishën “Zoja e Shkodres” në New York

Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

 

Kanë kaluar më shumë se një gjysëm shekulli nga dita e themelimit të Kishës katolike “Zoja e Shkodrës” në New York, e cila ka po kaq jetë aktive me veprimtari patriotike e humane me shqiptarët e për shqiptarët.


I tillë ishte edhe aktivitetiti kushtuar Festës së Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë me datën 28 nëntor 2021, i organizuar nga këshilli i Kishës ku morën pjesë, veprimtar të shquar, studjues, akademik e nismetar të shumtë, në mesin e të cilëve pata nderin dhe privilegjin të shpreh edhe opinjonin tim si dhe të bëj urimet e rastit jo vetëm për të pranishmit por edhe për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës, pasi aktiviteti u shpernda në të gjitha medjat lokale dhe ato shtetërore.
– “Të nderuar, klerik, pjesmarrës dhe bashkëatdhetar kudo ku ndodheni, ju përshëndes e njëkohsisht ju uroj nga zemra gëzuar këtë ditë të shënuar të Kombit shqiptar.
Jemi mbledhur së bashku për të përkujtuar Festën e Flamurit dhe Pavarsisë së Shqipërisë, e cila na identifikon si popull me qëndresë të lartë dhe besnik të idealeve të shenjta të lirisë. Me vetëdijen tonë jemi krenar që i përkasim këtij populli prej të cilit fatosat e lirisë nuk kursyen as gjakun e tyre për këtë flamur e për ato troje. Po kështu në këtë datë të shënuar përkujtojmë edhe heroin tonë kombëtar Gjergj Gjon Kastriotin i cili në vitin 1443 në mesin e fortunave të shkaktuara nga hordhitë turke arriti ti bashkojë të gjitha trojet nën hijen e këtij flamuri të lavdishëm i cili që prej asaj kohe është parë si një fanarë drite për ne shqiptarët, por edhe si një rrufe frike dhe urrejtje nga armiqt dhe pushtuesit e huaj.

 

Që prej asaj kohe trojet tona iliro – arbnore asnjëherë nuk e humbën identitetin e tyre por luftuan dhe u bashkuan sërisht në 1911 në istikamin e Deçiqit ku fatosat e Malësisë me në krye Dedë Gjon Lulin ngritën të parët Flamurin e Lirisë, po atë flamur që ngritën mbi re Trimat e Arbërisë me Skënderbeun, duke çarë qiellin gri të terrinave turke e më vonë ato serbo – malazeze qe si hije e zezë e kishte mbuluar tokën arbnore plot nurë e lavdi. Dhe sot me 28 nëntor 2021 kujtojmë këtë datë të shënuar të Pavarsisë së Shqipërisë të vitit 1912 ku mbushen plot 109 vite nga ajo ditë e shënuar ku patriotët e lëvizjes mbarë kombëtare me në krye Ismail Qemalin morën në dorë fatet e Kombit duke shpallur mëvetësinë nga sundimi turk dhe Pavarsinë e plotë të Shqipërisë, ndaj le ta kujtojmë këtë datë të shënuar edhe si ditën e Lirisë së plotë të Shqipërisë. Gjithashtu të nderuar bashkëatdhetar në këtë ditë të shënuar e nga ky vënd i bekuar të kujtojmë edhe themelimin e Kishës Katolike shqiptare Zoja e Shkodres, e cila zë fill qysh në vitin 1970, kohë kur komuniteti shqiptar këtu në New York kishte krijuar premisat e një organizimi të konsoliduar për të ndërmarrë një nismë të tillë sa të krijojë dhe ndërtojë e vetme një strehë shpirtnore ku shqiptaret të flisnin me Zotin në gjuhen e nanes së tyre. Ndertimi kësaj kishe ka patur dhe vazhdon të ketë një rol tejet të rëndësishën në këtë komunitet, sa, nën strehen e saj shqiptaret ndihen si pjestar të një familje. Dhe, sa herë mblidhemi për të festuar këtë feste të Flamurit apo ato të famullisë kemi obligimin moral e njerzor të kujtojme bashkëthemeluesit dhe klerikët që i shërbyen me devocion e besnikëri kësaj kishe e këtij komuniteti ndër të cilët përmend Dom Zef Oroshin, At Andrea Narkaj, Dom Rrok Mirditën, Dom Pjetër Popaj, Dom Vitor Dedaj të cilët kanë dhënë një kontribut të pashoq në jetën sociale e shpirtnore në familjet katolike shqiptare, e jo vetëm, pasi përvec çështjeve fetare kjo kishë ka shërbye edhe si një qëndër komunitare përsa u përket edhe çështjeve kombëtare e humanitare.
Duke ju uruar edhe njëherë festat më lejoni të kujto këtu para jush një nga porositë e fundit të Gjergj Gjon Kastriotit: “Duhet të jeni të butë dhe të dashur me njerëzit tuaj! Dukuni shpesh mes tyre, bisedoni me ta, pyetini ata nëse dëshirat tuaja për drejtësi janë ekzekutuar nga ministrat tuaj” porosi që na vlen për ditët tona do na vlejë në jetë të jetëve për të qënë të lirë e të barabarë në mes të barabartëve, sepse liria dhe demokracia janë binomi që na bën të jemi human me veten dhe me njëri – tjetrin.
Gëzuar në jetë të jetëve Pavarsinë e Shqipërisë dhe Festën e Flamurit
New York 28.11.2021. /PortaliShqiptar.com

Author: portali