Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur sot në lidhje me disa fotografi që i janë publikuar, ku ai shihet në shtëpinë e Enver Hoxhës, pasi më herët kishte deklaruar se nuk e kishte takuar asnjëherë personalisht ish-diktatorin.
Berisha sqaron se takimi nuk ka qenë personal, por ai është gjendur në ditëlindjen e nuses së Enver Hoxhës, me të cilën ka pasur miqësi.
“Fotografia është shpjeguar nga ish-mjeku i Enver Hoxhës dhe miku im Isuf Kalo, unë jam pyetur nëse e kam takuar ndonjëherë Enver Hoxhën personalisht? Dhe jo kam thënë, mesa di kemi qenë në ditëlindjen e Liljana Hoxhës, aty ka ardhur dhe ka kaluar Enver Hoxha, ka kaluar dhe më ka dhënë dorën. Unë nuk e kam mohuar, që kam pasur miqësinë qoftë me nusen e Enver Hoxhës, qoftë me djalin e tij”, u shpreh Berisha.
Ai iu përgjigj dhe akuzave të mjekes Margarita Kostaqi, e cila tha pak ditë më parë se Berisha kishte gisht në internimin e familjes së saj. Berisha i mohoi në mënyrë të prerë këto akuza, dhe tha se Kocaqi u internua për shkak se bashkëshorti i saj ishte mjek personal i Mehmet Shehut.
“Aty kemi një dëshmitar që është Blendi Fevziu, që kemi qenë duke pirë kafe në Rogner, kjo shoqja ime më vjen dhe më përqafon, më nxirr me ndonjë media tha, të flas për këta që të nxijnë faqen ty. E fundit Margarita Kostaqi ka qenë një mjekje e nderuar dhe kam punuar me të për shumë vite, ajo ka qenë bashkëshortja e mjekut personal të Mehmet Shehut. Dhe pas vetëvrasjes së tij, ata i dëbuan doku tjetër, nuk mund të ishte ajo kurrë kompetencë e imja, nuk kam qenë unë sekretar partie në atë kohë. Kjo është e gjithë historia”, deklaroi më tej Berisha./E.M-noa.al