Ledina Çelo është padyshim një nga emrat e fuqishëm në muzikën shqiptare, por prej vitesh është zhvendosur në Gjermani dhe së bashku me familjen e saj, është një nga zërat që i mungon publikut, por përpiqet herë pas here të rikthehet ëmbëlsisht.
Një nga rikthimet e saj, është edhe sot në një intervistë për “Rudina” në Tv Klan. Një rrëfim i sinqertë për jetën e saj aktuale, por e ndërthurur me retrospektivën e largimit nga muzika. A do ta shohim sërish Ledinën aktive në këngë?
Rudina Magjistari: Pse ka ardhur kjo tërheqje?
Ledina Çelo: Ka ardhur sepse ti e di vetë, kur bëhesh edhe mama nuk është shumë e thjeshtë. Angazhimet familjare, fëmijët, jeta larg… nuk mund të them bëra një sakrificë sepse falënderoj Zotin që më ka sjellë ata dy fëmijë, ata janë jeta ime, por nuk ishte aq e thjeshtë që të mbaja një ekuilibër duke zgjedhur karrierën siç isha dikur, duhej të bëja patjetër një pauzë. Më saktë, riskova pak në marrëdhënien time me bashkëshortin. Duke qenë se të ardhurat financiare të mira vijnë nga bashkëshorti, duhet të ishte dikush në familje që do të bënte një sakrificë.
Erdhi shumë natyrshëm, nuk është se e vuajta shkëputjen në muzikë. Duke ardhur Erlisi unë isha në moshën 34-vjeçare dhe e doja shumë një fëmijë. Mund ta vazhdoja karrierë, madje kur Erlisi ishte dy vjeç unë erdha në Tiranë për të bërë nja dy bashkëpunime, një videoklip të ri… ishte e pamundur, nuk shkëputesha dot, nuk e di pse, me djalin larg… E shikoja që nuk isha Ledina si dikur sepse jam natyrë që në muzikë dua të jap 100%, e shihja që nuk isha ajo më, nuk kisha forcën e dëshirën e madhe, isha më shumë e tërhequr nga familja. Megjithatë tani janë rritur dhe ndihem mirë që kam ndenjur pranë fëmijëve dhe e shoh që tani po bëhen më të pavarur dhe asnjëherë nuk është vonë që të rikthehem me këngë të reja, ta vazhdoj karrierën aty ku e lashë.