Angela Merkel nuk është më gruaja më e fuqishme e botës, pas largimit nga posti i kancelares së Gjermanisë.
Lista vitit 2021 nga Forbes për gratë më të fuqishme në botë përfshin 40 CEO, 19 udhëheqëse botërore, një imunologe dhe, për herë të parë në më shumë se një dekadë, një emër të ri në vendin e parë: MacKenzie Scott.
Angela Merkel ka qëndruar në vendin e parë për 15 nga 17 vitet e fundit që Forbes ka publikuar renditjen (vitet e vetme kur nuk ishte Merkel: 2004, para se të bëhej kancelare dhe në 2010-n, kur u vendos Zonja e Parë asokohe, Michelle Obama). Forbes argumenton se ndryshe nga shumë gra të fuqishme në listë, të cilat duhet “të japin llogari” te dikush tjetër, MacKenzie është e vetme.
Tre vjet më parë, MacKenzie Scott ishte shkrimtare, grua dhe nënë e katër fëmijëve, e cila në vitet ’90, ndihmoi burrin e saj të themelonte Amazon.
Ajo qëndroi jashtë vëmendjes mediatike – por më pas u divorcua nga Jeff Bezos, mori një të katërtën e aksioneve të tij në Amazon dhe pothuajse menjëherë filloi të planifikonte se si t’i jepte të gjitha.
MacKenzie është gruaja e tretë më e pasur në Shtetet e Bashkuara dhe individi i 21-të më i pasur në botë. Ajo ka nënshkruar Betimin e Dhënies, një angazhim për të dhënë të paktën gjysmën e pasurisë për bamirësi.
Në vitin 2020, Scott dha 5.8 miliardë dollarë për bamirësi, një nga shpërndarjet më të mëdha vjetore nga një individ privat për organizatat me të cilat bashkëpunon.
Përpos filantropisë, MacKenzie Scott është shkrimtare. Në vitin 2005 fitoi Çmimin Amerikan të Librit për romanin “The Testing of Luther Albright”. Libri i dytë, “Traps”, u publikua në vitin 2013.
Me 57 miliardë dollarë ende për të dhuruar, Scott ka plane të mëdha dhe do të vazhdojë të ndikojë për mirë.