Prapaskenat e 11 dhjetorit: Si do e shkarkojmë Lulzim Bashën

Më 11 dhjetor do të mbahet kuvendi kombëtar i Partisë Demokratike në stadiumin “Air Albania”. E ftuar në Debat me Alba Alishanin, Edith Harxhi, ish-kandidate për kryetare të PD, ka dhënë detaje se çfarë do të ndodhë këtë të shtunë.

“Do të mblidhen delegatët e PD në Air Albania sepse në Pallatin e Kongreseve salla ishte e pamjaftueshme për t’i mbledhur. Aty do të paraqitet një statut i ri, i cili do të diskutohet. Më pas, në bazë të komenteve, sugjerimeve, që do të kenë delegatët, do të kalojë statuti për votim. Ndryshimet statutore janë bërë në një kohë shumë të shpejtë dhe nuk mund të kalojnë pa u diskutuar.

Janë dy dokumente. I pari është statuti, i cili konsiston në kthimin e institucionit të votës në PD, një kufizim të numrit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Gjithçka do të kalojë përmes votës së delegatëve. Do të vendoset referendumi, e drejta për referendum dhe legalizimi i fraksioneve në parti. Të gjithë këto ndryshime mbështeten në një program të ri të PD, konservator.

Hapi i parë është largimi i Lulzim Bashës, të hapim mundësinë e një këshilli drejtues në PD dhe kryerja e zgjedhjeve të ardhshme. Zgjedhjet e ardhme duhet të fillojnë nga poshtë lartë dhe jo nga lartë poshtë.

Unë mendoj se kemi shansin për të bërë të mundur që zgjedhjet të jenë të merituara dhe të fillojnë nga baza e lartë. Ne do të jemi në ballë të punës”, zbuloi Harxhi në Debat.

Por si mund të shkarkohet Lulzim Basha në kushtet ku është PD? “Mund të ketë edhe një mocion brenda nga një grup i këshillit kombëtar që janë delegatë me të drejtë vote. Duhet afërsisht një e katërta e këshillit kombëtar për të propozuar një mocion të tillë shkarkimi”, u shpreh Harxhi.

g.kosovari

Author: admin