Nata e Shënkollit për malësorët. Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Nata e Shënkollit për malsorët. Shkruar nga Prof. Gjon Frani Ivezaj

Saherë afrohen ditët e para të dhjetorit për ne malsorët, një ndjenjë përgjegjsie dhe detyrimi na kujton se me datën pesë dhjetor një mik të kahershëm dhe fort i dashur na vjen me bujtë në familjen tonë këtë natë. Shejti Shënkoll i cili njihet edhe si Shejti i Mrekullive lutet e festohet nga “turk e t’kshtënë” thoshin t’vjetrit sepse mrekullitë e tij kishin qënë të panumërta ndër të gjithë besimtarët pa dallim feje. Lutej e festohej në nder të tij me një unanimitet dhe respekt si asnjë festë tjetër. Një bagëti dhe një okë dyll i pastër hojesh i ruhej dhe dedikohej këtij shenjti për gjatë gjithë atij mot moti me një kujdes tejet të veçantë në çdo shtëpi e për çdo shtëpi.
Dikur, Nata e Shënkollit ishte aq e shenjtë sa familjet e mkamura për nder të këtij shenjti dhe kësaj Nate të Madhe u falnin bagëti, dyll e bylmet edhe skamnorëve për ta festuar e gëzuar në familjet e tyre sikurse ata, pasi mendohej edhe si një detyrim shpirtnor ndaj këtij shenjti. Ky ritual dhe besim i mishëruar në jetën e malsorëve, pamvarsisht risive të kohes dhe ndryshimeve të mënyrës së jetesës mbetet sërisht një nga festat më të rëndësishme ta. Sipas mundësive akoma dhe sot praktikohet Ferliku i Shënkollit, Qiri i Shënkollit (me dyll) apo lëmosha e ruajtur për këtë natë në ndihmë të nevojtarëve nga të dy besimet duke mbajtur akoma të gjallë këtë kultur shpirtërore si traditë unike tek gegët. Gjë që reflektohet edhe në betë e tyre, “pasha Qirin e Shejtit Shënkoll” apo “pasha Natën e Shejtit Shënkoll”. Janë të shumta historitë që tregohen me këtë shenjt nga malsorët aq sa shumë prej tyre janë kthyer në mite e legjenda si trashëgimi gojore gjë që e bën këtë shenjt edhe më të pushtetshën në besimin e malsorëve. Kjo ka bërë që edhe vetë “Papati” ti japë prioritet ndërtimit të kishave në nder të këtij shenjti si pajtimtar dhe ndermjetës i drejt për drejtë i lutjeve të besimtarëve me Zotin. Nata e Shënkollit mbledh në gjirin e familjes të gjithë antarët sado udhë do duhet të marrin pasi mendohet se këtë natë duhet të bashkohet e gjithë familja për ta nderuar dhe mikpritur këtë shenjt, me sofren plot, me zemër të gazllyer e me bujari të sinqertë. Kjo është edhe arsyeja pse muset e marra në atë mot mot dërgoheshin në gjini për ta festuar me rop Natën e Shënkollit. Madje në nder të këtij shenjti të porsa lindurit në ditët e Shënkollit pagzoheshin me emrin Nikoll, Niko, Nikoletë Kolë etj., emra të kudogjendur ndër malsor. Prezenca e këtij Shenjti në vëmëndjen e besimtarëve sot shihet qartë edhe në shkëmbim mesazhe urimesh, në statuse në rrjetet sociale apo edhe tek urimet e personaliteteve në faqet e tyre zyrtare.
Kjo festë na jep edhe një farë imuniteti si besimtar me tradita të lashta autoktone aq sa na duket sikur Shenjti Shënkoll është shenjti mbrojtës i malësorëve. /PortaliShqiptar.com

Author: portali