Si u arrestua e gjithë Kombëtarja shqiptare në Londër në 1990

Tiranë, 30 maj 1990. Shqipëria përballej me Islandën, në ndeshjen e parë për kualifikueset e Europianit 1992. Ishte koha kur bota e futbollit po përjetonte edhe emocionet e fillimit të Kupës së Botës, “Italia ‘90”. Por ishte edhe koha kur në vendin tonë po frynte era e ndryshimeve të mëdha politike. Nën drejtimin e Bejkush Birçes, Kombëtarja shqiptare e Futbollit niset dy ditë para drejt kryeqyteti islandez për ndeshjen e parë, që ishte planifikuar të luhej në stadiumin “Laugardalsvollur” të Rejkjavikut , e vlefshme për Euro 1992. Gjyqtar ishte një britanik, Fred McKnight. Udhëtimi transit.

Arrestimet e të gjithë lojtarëve në Londër- Kuqezinjtë ndalen në Londër dhe po bëheshin gati për të kapur avionin, që nisej drejt kryeqytetit të Islandës. Aeroporti i Londrës, shumë më modern, ndryshe nga ai shqiptar, kishte edhe dyqane, dhe afronte mallra luksi që nuk njiheshin në vendin tonë. Në pritje të avionit, lojtarët i marrin leje stafit drejtues për të vizituar dyqanet, me qëllim të blinin ndonjë gjë të lirë, me ato pak dieta që kishin marrë nga shteti. Për një vend si Shqipëria e varfër, futbollistët e Kombëtares ndiheshin me fat, sepse dalja jashtë kufijve të izoluar në kohën e regjimit komunist, ishte një luks për pak vetë, që duhej shfrytëzuar. Bashkë me udhëtimin e ekipit A, ishte edhe ekipi Kombëtar U-21, që do të luante gjithashtu një ditë para ndaj Islandës.

Në dyqanet e aeroportit futen edhe ata. Pas daljes, vjen avioni dhe ekipet sistemohen. “Në momentin që po bëheshin gati dhe avioni do të nisej, ndodh ajo që nuk pritej,” – thotë në rrëfimin e tij për “Albanian Free Press”, Bejkush Birçe. – “Policia e aeroportit ngjitet në avion dhe jep urdhër që delegacioni shqiptar i futbollit të zbresë poshtë. Ndërkohë avioni nuk mund të priste. Ndeshja gjithashtu nuk priste. Por i jepet urdhër që avioni të vazhdojë udhëtimin dhe ne duhet të zbrisnim të gjithë,” –thotë Birçe. – “Na komunikohet neve si staf drejtues se në ambientet e dyqanit, përmes kamerave të sigurisë është konstatuar një vjedhje dhe si pasojë do të arrestohen të gjithë ata që ishin brenda, derisa të kapen autorët. Përpjekjet për t’i bindur ishin të kota. Na u tha se vetëm stafi, që qëndroi jashtë nuk do të arrestohet dhe ai mund të niset drejt Islandës. Kështu, i tërë ekipi që unë drejtoja dhe lojtarët e U-21 përfunduan në qeli. Ishim para një skandali. Si mund të nisesha vetëm me ndihmësin tim, mjekun dhe pa ekipin, drejt Islandës?,” thotë Birçe.

Rreziku i anulimit të ndeshjes dhe frika- Mjeku Lluka Heqimi, pjesë e stafit tim i cili dinte anglisht, ishte i vetmi që merrej vesh me autoritetet angleze. “Vendosëm të qëndronim në Londër deri, në pritje. Të gjithë lojtarët në qeli, për hetimin e vjedhjes, ne si staf e kaluam natën dhe fjetëm jashtë. Të alarmuar! A do të luhej ndeshja? Ne kishim para vetëm për avionin e parë. Të nesërmen avionin e radhës, me çfarë do ta paguanim? Po në Shqipëri kur të ktheheshim, si do të justifikohemi para autoriteteve, pasi nuk të falnin në raste të tilla?”, kujton më tej Birçe. Nga fakti se bëhej fjalë për ekipin Kombëtar, lajmi u përhap me shpejtësi në mediat britanike e më pas në ato të Islandës, në një kohë kur autoritetet islandeze kishin dalë në aeroport në pritje të Kombëtares shqiptare. Për shkak të kohës, në Shqipëri lajmi u censurua. – “Të gjithat mediat islandeze ishin hapur me lajmin se lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë janë arrestuar dhe ndeshja vihej në rrezik. Në rast se ajo nuk do të luhej, Shqipëria rrezikonte të dënohej edhe nga UEFA dhe FIFA, sipas rregullores, me përjashtim. Por ky skandal nuk do të kapërdihej lehtë në Shqipëri, nga autoritetet e larta komuniste të kohës. Unë dhe stafi i trembeshim ndëshkimit, madje kishim humbur shpresat se do të mund të dilnim nga kjo situatë.”

Mbërritja në Islandë, falë dashamirësisë së kundërshtarit-Të nesërmen, pas hetimeve, autoritetet angleze kishin zbuluar përmes kamerave dhe marrjes në pyetje se cilët ishin dy lojtarët e Kombëtares sonë, për të cilët Birçe thotë se për shkak të etikës nuk ka dëshirë t’iu tregojë emrat e tyre. – “Ata mbi ngjarjen nisur nga rëndësia që kishte ekipi, komunikuan me autoritetet më të larta britanike. Çështja u bë edhe diplomatike. Duket se u lidhën edhe me autoritetet shqiptare, por mesa di unë ka luajtur Islanda një rol vendimtar për ta zgjidhur paqësisht këtë çështje delikate. Islandezët bënë të pamundurën që skuadra Kombëtare e Shqipërisë të nesërmen të nisej e plotë dhe madje morën përsipër edhe shpenzimet e udhëtimit. Kështu u bë. Edhe ata që u gjetën fajtorë nga autoritet angleze u lanë të lirë dhe u dënuam thjesht me një gjobë sa për të “respektuar” ligjin, që më duket, me sa kujtoi edhe ajo u pagua nga Islanda. Kështu u nisëm të nesërmen pasdite, por askush nuk mendonte më për ndeshjen, që edhe pse çuditërisht luajtëm mirë, e humbën 2-0. Megjithatë islandezët kishin dalë dhe na pritën mjaft mirë në aeroport, edhe pas ndeshjes, na përcollën me shumë dashamirësi. Çdo gjë shkoi mirë dhe ne u kthyem në Tiranë.”

Dënimet e 6 futbollistëve në Tiranë, Birçe mbetet trajner- Pas kthimit në Shqipëri, Bejkush Birçe dhe stafi i tij u thirrën menjëherë në Federatë dhe në ministrinë përkatëse. – “Lajmi ishte marrë vesh nga autoritetet. Fat ishte se pavarësisht skandalit ne ia dolëm mbanë, ngaqë shkuam të nesërmen të plotë dhe ndeshja u zhvillua. Gjysma e së keqes. M’u desh të justifikohesha, se gjithçka ishte një ngjarje spontane. Pas një analize të gjatë, nisur nga koha e ndryshimeve kur ndëshkimet për fat nuk ishin më aq të ashpra, si masë gjashtë futbollistë u përjashtuan nga ekipi Kombëtar.

Dy lojtarë që u përfshinë në vjedhje u përjashtuan dhe po ashtu për një afat 6-mujor edhe katër të tjerë, të cilët ishin pranë tyre dhe në dijeni.” Por për fatin e mirë të lojtarëve të ndëshkuar, regjimi ra disa muaj më vonë dhe ata u falën për të vazhduar karrierën si futbollistë dhe të riktheheshin edhe si pjesë e Kombëtares Shqiptare të Futbollit. – “Edhe pse ngjarja kapërceu dhe unë vazhdova të isha trajner, ky ishte ndoshta momenti më i vështirë në karrierën time. Rrezikova të futesha në historinë e futbollit botëror, si trajner i parë që do të shkonte në një vend tjetër, pa lojtarët që rrugës i kishin përfunduar të gjithë në qeli,” mbyll rrëfimin ekskluziv për “Albanian Free Press”, ish-trajneri i mirënjohur, Bejkush Birçe.

Në një grup ku bënin pjesë ekipe me emër, si Franca, Spanja, Çekosllovakia, Shqipëria e mbyll në vend të fundit, por ishin vite të vështira, kohë kur futbollistët tanë ndodhte që të mos ktheheshin më me ekipin në atdhe. Si për ironi, me gol të Eduart Abazit fitorja e vetme u shënua pikërisht ndaj Islandës, në ndeshjen e 26 majit 1991, në mitikun “Qemal Stafa” dhe në grup kualifikohet vetëm Franca.

Ndeshjet kualifikuese “Euro 1992” Islandë-Shqipëri 2-0; Shënues: Gudjohnsen 41’, Edvaldsson 82’ Islanda: Kristinsson, Bergsson, S. Jonsson, T Orlygsson (Janson 46’), Gretarsson, Ormslev, Gudjohnsen, Thórdarson, Petursson, Torfason ( O. Orlygsson 66), Edvaldsson. Trajner: Bo Johansson

Shqipëria: Strakosha, Noga (Iljadhi 80’), Jera, Vata, Abazi, Kove, Millo, Josa, Demollari, Lekbello, Shehu (Arbëri 46’). Trajner: Bejkush Birçe (AFP.al)./korrieri.com.al

Author: portali