Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka mbajtur fjalën e tij në takimin e Ballkanit të Hapur në Tiranë, ku tha se i ka ardhur në majë të hundës nga fakti se duhet të japë sqarime se pse shtetet e Ballkanit po bashkëpunojnë mes tyre. Ai shtoi se nuk ka pse kërkon falje ndaj vendeve të tjera.
“Në fakt i keni shpjeguar tashmë pothuajse të gjitha ato gjëra për të cilat ne kemi bashkëpunuar dhe kemi punuar fort gjatë gjithë kësaj kohe. Këto janë rezultatet e para që ne kemi arritur, të cilat ju i prezantuat sot. Ne mund të përgatisim fëmijët tanë për të ardhmen që i pret. Kjo iniciativë është shumë më e madhe se ne të tre së bashku, do të krijojë themelet e të ardhmes së fëmijëve tanë”.
“Unë kam pasur mundësi që mbrëmë të bisedoja me përfaqësuesit e biznesit shqiptar, të cilët kishin interes të madh për të investuar qoftë në Serbi qoftë në Maqedoninë e Veriut, besoj fort që shumë më shumë qytetarë do të bëjnë turizëm mes tre vendeve tona.
Më ka ardhur pak në majë të hundës që të japim justifikime për çdo gjë, a thua se kemi bërë diçka të gabuar, dhe të kërkojmë ndjesë ndaj atyre që nuk duan të bëhen pjesë. Është e vështirë për liderët e këtyre vendeve, se pse nuk janë pjesë e kësaj iniciative”, tha Vuçiç./shqiperiaime.com.al