Nje shkrim:
GABIM AMBASADORIAL
Nga Valentin Lumaj, Michigan
23 dhjetor, 2021
“…ambasadorja Kim, në këtë faktorizim të saj në jetën e brendshme të partive shqiptare, është e veshur këmbë-e-krye me mantelin politik të administratës së majtë që përfaqëson. Involvimi i saj në politikën shqiptare, dukshëm në mbështetje të partisë socialiste në pushtet, në përçarjen e forcave opozitare dhe me të gjitha eminencat e saj gri brenda kornizës së politikës shqiptare, akte këto në kundërshtim flagrant me Konventën e Vjenës, përbëjnë një konflikt të pastër interesi dhe një barrë të pamerituar për të djathten shqiptare”.
Në dekadën e fundit, kemi qënë dëshmitarë të nje rritje të rolit politik dhe integrimit në vendimarrje shtetërore dhe partiake të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri dhe në veçanti do të ndalem tek ambasadorët amerikanë. Përveç arsyeve të tjera që janë thënë, në gjykimin tim, qeveria shqiptare ka ndërtuar një strategji duke u lënë dorë të lirë dhe fushë të hapur ambasadorëve të huaj, në kuptimn që përtej orbitës së punës së tyre si diplomatë, të bëhen faktorë edhe në jetën politike dhe çështje të jetës komunitare. Këta diplomatë, të etur për pak më shume rëndësi, pushtet apo lavdi, këto shërbime që ua ofron qeveria e Tiranës, por që ua ndalon rreptësisht Konventa e Vjenës, janë të gatshëm që ti marrin përsipër dhe ti kryejnë me zell dhe si bonus shpërblimi ndaj qeverisë, ata zvogëlojnë zërin kritik, mbyllin jë sy ndaj shkeljeve dhe korrupsionit qeveritar për të mos thënë që në shumë raste thurin lavde dhe apelativa ndaj kryeministrit Rama, në kohë të vështira të tij. Të qënit kritik ndaj opozitës dhe aprovues ndaj partisë socialiste në pushtet apo zgjedhjeve të manipuluara, ka qenë në tetë vitet e fundit praktika ambasadoriale e një standardi kokëposhtë që vetëm i parë mbrapsht mund të ketë kuptim.
Por cili është në fakt roli ambasadorëve të huaj në një shtet pritës. Konventa e Vjenës, neni 3 i shpjegon qartë funksionet e një misioni diplomatik, që përfshijnë:
1. përfaqësimin e shtetit dërgues në shtetin pritës në një nivel përtej nivelit thjesht social dhe ceremonial;
2. mbrojtjen brenda shtetit pritës të interesave të shtetit dërgues dhe shtetasve të tij, duke përfshirë pronën dhe aksionet e tyre në firma;
3. negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve me shtetin pritës kur autorizohet;
4. raportimin dhe mbledhjen e informacionit me të gjitha mjetet e ligjshme mbi kushtet dhe zhvillimet në vendin pritës për qeverinë dërguese;
5. promovimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet dy shteteve dhe avancimin e marrëdhënieve të tyre ekonomike, tregtare, kulturore dhe shkencore.
Ndërsa Neni 41 shprehet qartë edhe për çfarë nuk duhet të bëjnë diplomatët:
• Pa cënuar privilegjet dhe imunitetin e tyre, është detyrë e të gjithë diplomatëve që gëzojnë privilegje dhe imunitete të tilla, të respektojnë ligjet dhe rregulloret e shtetit pritës. GJITHASHTU, DIPLOMATET E KANË PËR DETYRË TË MOS NDËRHYJNË NË PUNËT E BRENDSHME TË ATIJ SHTETI.
Në pamje të parë, për ne shqiptarët me me doza te theksuara të applikimit të rryshfetit dhe me një kulturë ligjore në zhvillim, mbështetja apo angazhimi i diplomatëve në luftën kundër korrupsionit do të ishtë e lejueshme dhe e pranueshme në këtë listë funksionesh. Megjithatë, në emër të kësaj lufte dhe të shteteve që përfaqësojnë, gjejmë raste të abuzimit ambasadorial, të cilat e jo vetëm që nuk kanë sjellë ndonjë progres, por përkundrazi kanë ndikuar negativisht në betejën ndaj korrupsionit. Dështimi i reformën në drejtësi, mungesa e trupës së mjaftueshmë të gjykatësve, përdorimi i vetingut për eleminimin e kundërshtarëve apo edhe roli i zbehtë i SPAK në luftimin the parandalimin e korrupsionit qeveritar, jane disa momente të këtyre dështimeve.
Me logjikën e njeriut racional, lufta ndaj korrupsionit do të ishte efikase nëse do të fillonte me korrupsionin aktiv sidomos atë në qeveri, gjë e cila nuk ka ndodhur. Non-grata ndaj Berishës, dhe përdorimi nga ambasadorja Kim me bujë i këtij akti si sukses i luftës ndaj korrupsionit, me vepra të supozuara të kenë ndodhur para tetë, dhjetë apo më shumë vitesh, jo vetëm që nuk të bind, por të lë të dyshosh se mbas saj fshihen arsye të tjera. Nëse e marrim këtë si standard, pra po të ndiqet e njëjta praktikë, i bie që Edi Rama, meqë sot po akuzohet për korrupsion me inceneratorët, do të të shpallet non-grata, tetë vjet mbas përfundimit të këtij mandati ose fiks mbas dymbëdhjetë vitesh!!!! Përtej këtij nonsensi, çfarë e bën edhe më të çuditshme këtë praktikë është fakti se ndaj Berishës në ndryshim nga Rama, nuk ka pasur kurrë akuza, procese gjygjësore, ndonjë provë apo fakt.
Shpallja non-grata të themeluesit te pluralizmit politik në Shqipëri, Sali Berishës, që e kam shpjeguar edhe më parë si një akt i pastër politik me qëllim eleminimin e tij nga politika per ti zgjatjur pushtetin Edi Ramës si dhe për të hapjur rrugën projektit madhor Serbo-Sorosian të Ballkanit të Hapur dhe jo vetëm, pati një efekt tronditës në politikën shqiptare. Lëkundja e integritetit të Sali Berishës nga kjo shpallje non-grata, si një nga shtyllat kryesore të demokracisë dhe balancës politike të vendit tonë të vogël Shqipëri, prishi edhe më keq raportet pozitë-opozitë, kjo në favor të të parëve edhe mbas një fitoreje të jolegjitime të zgjedhjeve. Për shqiptarët në shqipëri, kjo u duk si një goditje përfundimtare ndaj Berishës dhe të pakët ishin ata që besonin se Berisha do të vazhdonte më tej e aq më pak se do të arrinte deri në integrimin edhe një herë në krye të Partise Demokratike. Ndërsa nga shqiptarët e Amerikës, e kam fjalën të djathtët, duke parë skena të tilla edhe nga Partia Demokrate amerikane me akuzat e pabaza ndaj Presidentit Trump the fitoren presidenciale të kontestuar nga gjysma e popullsisë amerikane, akti i non-gratës ndaj Berishës u pa si një veprim i dyshimtë në vrazhdën e eleminimit të forcave konservatore dhe përhapjes apo vendosjes së hegjemonisë së rrymës globaliste (internacionaliste), kjo jo vetëm në Shqipëri.
E parë nga ky këndvështrim, ambasadorja amerikane në Tiranë, është një përfaqësuese e një administrate me pikëpamje të majta politike, administratë që është nën akuzë nga oponentët republikanë për zhvendosje të fortë majtas, për lidhje me miliarderët botërorë globalistë, Gates, Bloomberg, Soros, China etj., më politikat socialiste të zhvillimit, vlerat liberale të shoqërisë dhe të kufijve të hapur.
Nga ky kontekst, ambasadorja Kim, në këtë faktorizim të saj në jetën e brendshme të partive shqiptare, është e veshur këmbë-e-krye me mantelin politik të administratës së majtë që përfaqëson. Involvimi i saj në politikën shqiptare, dukshëm në mbështetje të partisë socialiste në pushtet, në përçarjen e forcave opozitare dhe me të gjitha eminencat e saj gri brenda kornizës së politikës shqiptare, akte këto në kundërshtim flagrant me Konventën e Vjenës, përbëjnë një konflikt të pastër interesi dhe një barrë të pamerituar për të djathten shqiptare”.
Por jo vetëm kaq. Si të mos mjaftohej nga efekti negativ ndaj opozitës i non-gratës se Berishës, dhe mbajtja e anës në favor të qeverisë, ambasadorja amerikane në Tiranë, doli komplet nga binarët diplomatikë të funksionit të saj dhe u investua maksimalisht në përcarjen e Partisë Demokratike duke piketuar sipas dëshirës së saj udhëheqësin e ardhshëm të kësaj partie.
Rol të qartë dhe përgjegjësi në këtë katastrofë që po kalon PD-ja sot e ka patur qartazi dhe pa asnjë diskutim ambasadorja e Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Nuk ka qenë aspak në kompetencën e saj që të ushtrojë presion ndaj liderit të opozitës për të marrë vendime anti-statuore, apo të përcaktojë fatin e deputetëve të zgjedhur me votë të lirë.
Deklaratat e hapura të saj në favor të Lulzim Bashës, shfrytëzimi i delegacioneve amerikane për takime gjoja mbështetëse për Bashën dhe mbështetja hapur ndaj tij, të gjitha këto u kryen në kundërshtim dhe pa marre parasysh vullnetin e bazës dhe demokratëve shqiptarë. Po ashtu kjo mbështetje ilegjitime e ambasadores Kim, u kthye në burim shkeljesh statutuore dhe vendimeve arbitrare të kryetarit të PD-se Basha, parti e cila shënoi një degradim total të demokracisë së brendshme funksionale. Prandaj si konkluzion i kësaj logjike, ambasadorja e SHBA-ve, duke u futur në çështjet e brendshme të Partisë Demokratike dhe më keq duke përzgjedhur dhe mbështetur Bashën si përfaqësues i një pakice te vogël kundër shumicës në Partinë Demokratike që ndjek Sali Berishën, shënon një ilikt ambassadorial në përmasat e një skandali, me pasoja shkatërrimtare për këtë parti dhe minim spektakolar të demokracisë në Shqipëri.
Lulzim Basha është 100% i vetëdijshëm se sot nuk e ka më përkrahjen e bazës së Partisë që ka drejtuar për tetë vite. E vetmja shpresë dhe mbështetje i vjen nga ambasadorja Yuri Kim. Nga ky burim suporti vjen edhe këmbëngulja e tij për mos e njohur vullnetin e shumicës, për të manipuluar kuvende dhe shifra anëtarësie, për të uzurpuar në kundërshtim më çdo ligj dhe statut, organizatat partnere të pavarura të Forumit të Gruas dhe të Forumit Rinor, për të kyçur zyra dhe për të bllokuar selinë e Partisë Demokratike. Ndërsa situatat mund të degjenerojnë, gjithmonë shumica në të drejtën e vet, ambasadorja Kim, me mbështetjen ndaj një humbësi të përsëritur dhe një pakice, është kthyer në një faktor dhe aktor në destabilizimin e jetës politike shqiptare, qw me shumë gjasa mund të precipitojë edhe prishje të rendit publik. I kujtoj ambasadores se demokratët shqiptarë nuk po ju kërkojnë asgjë, as heqjen e non-gratës Sali Berishës, ajo është e drejta juaj, as të bashkëpunoni me të po të doni, prapë është e drejta juaj. Por, sikurse po ju njohim plotësisht të drejtat tuaja, ju kujtojmë se e keni për detyrë që të mos përziheni në punët e brendshme të Partisë Demokratike dhe të njihni dhe të pranoni realitetin se Sali Berisha me mbështëtësit e tij, përfaqëson shumicën e demokratëve shqiptarë dhe si i tillë, mbas fushatës së tij të foltoreve, Kuvendit të Partisë Demokratike dhe Referendumit Popullor, e ka fituar të drejtën dhe titullin si lideri i ri demokratëve dhe së djathtës konservatore. “Jepini Çezarit atë çfarë i takon Çezarit…”.