Moderatori dhe kantautori i njohur, Ardit Gjebreai ishte ftuar në Forumet UET, foli për karrierën e tij dhe tregun e muzikës sot Para studentëve, Gjebrea foli për ëndrrat, studimet, jetën në Itali, lidhjen me muzikën e televizionin, etj.
Me këngët e tij të mesit të viteve ’90, ai ka mbetur në kujtesën e publikut dhe këngët e tij këndohen ende sot. Po pse Gjebrea i është kushtuar kaq fort menaxhimit të muzikës me festivalin “Kënga Magjike” dhe moderimit me emisionin “E diela Shqiptare” dhe nuk po këndon më si dikur? Në një përgjigje të sinqertë ai pranon se nuk e gjen veten tek tregu i tanishëm muzikor komercial.
“Unë shpeshherë jam më i sinqertë se ç’duhet dhe do ta ruaj sinqeritetin tim dhe sot, më ndodh që të keqkuptohem. Sot portalet e ndryshme mund të keqpkuptojnë atë që dua të them dhe nuk do të jem shumë i sinqertë në përgjigjen time. Dua të jem pak diplomat sepse nuk dua të fyej askënd. Kështu që secili bën zgjedhjen e tij në jetë, por nëse unë do të vazhdoja të bëja muzikë dhe të këndoja, nuk do të jetoja më mirë se sa jetoj sot.
Advertisements
Kjo është përgjigja ime e sinqertë pa dhënë detaje. Unë kam kënduar në pallate sporti, në stadiume, kam kënduar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Kam kënduar në vende ku muzika vetëm dëgjohej. Në të gjitha turnetë që kam bërë jashtë, aty ku ka shqiptarë në Gjermani, SHBA, Greqi, kam kënduar nëpër teatro. Sot rrallë këngëtarët këndojnë nëpër teatro.
Unë nuk dua të humbas atë habitatin tim. Unë krijova një lloj stereotipi dhe nuk dua ta humbas. Unë jam i lidhur me atë mentalitet të muzikës dhe nuk dua që të jetë ndryshe”, tha ai.