Djalin e ka në burg për vrasje, babai kërkon deklaratë nga familjarët e viktimës për lirimin e tij

Emisioni Uniko trajtoi konfliktin mes dy familjeve në fshatin Cikallesh të Kavajës, ku për shkak të prerjes së një peme, një person u vra ndërsa një tjetër mbeti i plagosur dhe sot është invalid.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 2016 dhe viktimë mbeti Fatmir Çelhaka. Ai u godit me sëpatë nga Qamil Çelhaka. Viktima kishte shkuar me disa punëtorë për të prerë pemë në oborrin e shtëpisë së tij për dru zjarri. Por autori që sot është dënuar me 35 vite burgim, i kërkoi që të mos prisnin pemët pasi pretendonte se ndodheshin në tokën e tij, ndryshe nga sa pretendon familja e viktimës.

Mes tyre nisi sherri dhe gjatë konfliktit Qamil Çelhaka goditi me sëpatë në Fatmir Çelhakën dhe pas tij punëtorin e druve Ylli Isufi. Fatmir Çelhaka humbi jetën, ndërsa punëtori i druve sot është invalid.

Babai i autorit, Durim Çelhaka, që sot vijon të jetë në gjyq me të afërmit e viktimës për kufirin ndarës të tokës mes pronave të tyre, thotë se kërkon nga pala tjetër që t’i falin gjakun e djalit.

Ai kërkon nga familjarët e viktimës që përmes një deklarate të falin gjakun e djalit të tyre dhe i biri të lirohet. Sipas tij, ngjarja nuk ndodhi me paramendim, por në formë vetëmbrojtje.

Durim Çelhaka: Ai të heqi dorë nga drejtimet e mia, që të mos më dëmtojë rrushin. E dyta, që ky të më lëshojë një deklaratë, ta çojë në Prokurorinë e Përgjithshme, se mos më kishte ndodhur mua, do t’i kishte ndodhur atij.

Spartak Koka: Çfarë deklarate kërkoni?

Durim Çelhaka: Që të më fali çunin. Që të mos më gjëmojë këmba-këmbës se ka kërkuar atë që nuk i takon.

Spartak Koka: Çfarë ka kërkuar?

Durim Çelhaka: Ka kërkuar dënim të përjetshëm.

Spartak Koka: Sipas jush, ka ndodhur çfarë ka ndodhur, kemi një të vrarë, kemi një konflikt 30-vjeçar për rrushin poshtë me z.Hajrullah që është vëllai i viktimës, i Fatmirit, dhe djalin tuaj tashmë në burg si autor i vrasjes së Fatmirit në 2016. Ju kërkoni që të lëshohet në Prokurori një deklaratë që familja e Fatmirit t’ju falë gjakun ju? Kërkoni falje gjaku?

Durim Çelhaka: Po po atë e kërkoj unë.

Spartak Koka: Ja kërkoni publikisht sot?

Durim Çelhaka: Publikisht! Është gabim që u bë, është shumë keq që na ra kjo punë, është shumë keq, por po sikur të kishin vrarë çunin tim, edhe këtë të kërkonte ai prej meje. Çuni im është 35 vjeç, të kalbet atje… Ka ndodhur vetëm nga mendjemadhësia jo sepse…

 

Author: admin