Eduard Prodani thotë se vendimi i fundit i FSHF-së për të shtuar investimet te futbolli i moshave është pozitiv, por i diktuar nga kandidimi i Shakohoxhës për president të FSHF-së. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Federatës deklaron në intervistën për “Panorama Sport” se mënyra se si funksionon institucioni i futbollit prej vitesh e ka shndërruar atë në një “kënetë” ku nuk qarkullojnë më as ide dhe as alternativa për ta zhvilluar më tej.
Federata njoftoi se ka miratuar një program ndihme për futbollin e fëmijëve. Cili është mendimi juaj për këtë? Lexova mbi të në media. Mes titujve, vendimi diku quhej “historik” dhe diku tjetër FSHF-ja cilësohej “Babagjyshi i Vitit të Ri”.
Them se titulli “historik” edhe mund të qëndrojë, sepse në fund të fundit FSHF-ja kujtohet pas dekadash që paska futboll fëmijësh, të cilit edhe i duhet dhënë ndonjë ndihmë. Po që të quhet “Babagjysh i Vitit të Ri” këtë e kam të vështirë ta pranoj.
Kjo, sepse “Babagjyshi” supozohet që dhuratat nuk i blen me paratë e po atyre që jua dhuron. Jashtë shakasë, do të sqaroja edhe një herë që paratë dhe gjithçka tjetër që FSHF-ja “dhuron” apo shpenzon për vete janë të klubeve, shoqatave dhe të tërë atyre që prodhojnë dhe merren me futboll. Historitë e dhuratave dhe bujarisë me fondet e futbollit janë tallje me inteligjencën dhe ndërgjegjen tonë shoqërore e qytetare.
Sa për programin e njoftuar, them se nuk ka asnjë dyshim që vendimi është kryekëput me qëllime elektorale. Lidhet me shfaqjen së fundmi në media të Shakohoxhës, i cili parashtroi se fokusi kryesor i punës së tij do të jenë shoqatat rajonale dhe futbolli i bazës. Një reagim krejt primitiv i FSHF-së që do të thosha se të lë përshtypjen e një përpjekjeje të çorganizuar dhe në panik.
Mos ndoshta po paragjykoni dhe po gaboni? Nuk e besoj se gaboj. Së pari, programe të tilla zakonisht iniciohen me fillimin e sezonit dhe jo në mes të tij. Së dyti, një vendim i tillë me impakt në buxhet, së pari, do të duhet të ishte shpallur dhe diskutuar në Asamblenë e fundit të FSHFsë. Duhet të ishte pasqyruar në buxhetin e vitit 2021. Duhet të ishte miratuar nga anëtarësia si pjesë e buxhetit, së bashku me kriteret e zbatimit. Një gjë e tillë sikur nuk rezulton.
Nga ana tjetër, duke e shpikur nga hiçi dhe duke e miratuar vetëm me vendim të Komitetit Ekzekutiv pikërish t në prag të zgjedhjeve, FSHF-ja, në fakt, provon që A sambleja e Përgjithshme në të vërtetë është krejt formale. Se vendimet merren tërësisht nga drejtuesit në formën dhe kohën e volitshme për interesat e tyre. Se rregullat e funksionimit të institucionit shkelen rëndom.
Se zgjedhjet në FSHF janë shumë larg të qenit “fair play”. Në këto kushte, duke qenë një lloj “asfalti elektoral” kam frikë se pas zgjedhjeve ky program do të katandiset si “kokoshi që u bë një thelë”. Domethënë që do të vazhdojmë të shohim trajnerët dhe drejtuesit e akademive të rrinë si lypsarë në dyert e FSHFsë, ku me siguri ata që s’kanë qenë shumë “aktivë” në zgjedhje do t’i shikojnë me dylbi furnizimet.
Kjo nuk është spekulim, sepse ka ndodhur dhe ndodh. Të zotët e punës e dinë shumë mirë këtë. Pavarësisht sa thoni, mendoni se ky vendim do të ketë impakt në zhvillimin e futbollit shqiptar?
Natyrisht që çdo lloj mbështetjeje për futbollin e fëmijëve shpërblehet me rezultate pozitive në kohë. Këtë e provojnë historitë e suksesit në shumë vende të Europës dhe botës. Kjo nuk është ndonjë gjetje gjeniale e drejtuesve të FSHF-së.
Ata vetëm ia kanë mohuar këtë futbollit prej vitesh e vitesh, ndonëse mundësitë financiare dhe materiale kanë qenë aty prej shumë kohësh. Po çështja e rëndësishme që mund të ngrihet sot është sa i studiuar dhe mirëstrukturuar është ky program.
A është bërë ndonjë analizë dhe vlerësim profesional dhe i kuantifikuar i gjendjes dhe nevojave reale më të ngutshme në bazë? Dyshoj shumë që FSHF-ja të ketë vullnet, kapacitete, aftësi analitike dhe programuese për këto lloj veprimesh. Duke “rendur” pas Shakos them se edhe kësaj radhe gjërat janë vendosur në çast dhe me amatorizmin e folklorizmin e zakonshëm.
Atëherë nga se vuan dhe përse ka më shumë nevojë futbolli shqiptar sipas jush? Ky është një diskutim i gjatë. Po mund të them se analizat dhe rekomandimet nuk mund të bëhen në stilin “excathedra”. Për punë të mirë dhe rezultate pozitive kërkohet afërsi me bazën, njohje e gjerë e problematikës, respektim i zërit të palëve të interesuara, harmonizim i interesave të tyre, etj. Këtë lloj mentaliteti dhe veprimtarie sikur nuk shohim ta ketë dhe ta demonstrojë FSHF-ja në praktikën e përditshme.
Vetë struktura super e centralizuar, po dhe stili i punës që manifeston FSHF-ja e kanë larguar atë realisht shumë nga hallet e futbollit të luajtur, nga baza dhe realiteti. Menaxhimi nga “Kulla e fildishtë” si rregull është i destinuar të dështojë.
Treguesi më sintetik i zhvillimit të futbollit në një vend është numri i qytetarëve të atij vendi që luajnë dhe angazhohen për këtë lojë. Në këtë drejtim, futbolli shqiptar jo vetëm që është në nivele frikshmërisht të ulëta krahasuar me vendet përreth, por dhe ka bërë hapa të mëdhenj mbrapa krahasuar me 20 vjet më parë.
Pavarësisht shifrave rritëse që deklaron FSHF-ja, statistika të mirëfillta dhe të besueshme për numrat e futbollit nuk ka. Duke u bazuar në të ardhurat që FSHF-ja mbledh nga kartat e federimit, rezulton që në Shqipëri nuk ka më shumë se 3000 të federuar. Ndoshta më pak.
Sido që të jetë, futbolli shqiptar është në gjendje “anemie” që ndodh në kushtet kur institucioni i futbollit tashmë operon me një buxhet 10-15 milionë euro në vit dhe zbukuron qytetet me ndërtesa dhe fasada futuristike.
Ndërkohë që një pjesë të vogël të atij buxheti e investuar si duhet në futboll dhe për futbollin mund të bënte mrekulli. Shkurt, do të thosha që ndërhyrja më urgjente që duhet bërë në futbollin shqiptar është masivizimi i numrit dhe i shtresave të popullsisë që luajnë futboll.
Shtrirja gjeografike në tërë territorin e vendit. Tërheqja në çështjet e futbollit të sa më shumë njerëzve dhe kontribuuesve. “Futboll, kudo dhe për këdo” duhet të ishte objektivi dhe motoja e FSHFsë. Por, fatkeqësisht atje nuk e perceptojnë dot kështu detyrën e tyre.
Sikur kjo të ndodhte gjërat do të ishin shumë më ndryshe në futboll. Dhe stafi i FSHF-së, tashmë, nuk do të ishte sot duke rendur i tëri pas Shakohoxhës. Së fundmi, çfarë mendoni për kandidimin e Shakohoxhës? A është ai në gjendje të mundë Dukën? Nëse ia del, a do ishte pozitive presidenca e tij?
Jam shprehur se FSHF-ja e ka shumë të nevojshëm ndryshimin ngado dhe nga kushdo që mund të vijë. Çdo iniciativë që vë në lëvizje ujërat e “kënetës”, FSHFja do të sjellë vetëm të mira.
Ja, për shembull, këtë “dhuratën e Vitit të Ri”, më shumë sesa nga drejtuesit e FSHF-së, do të thosha që fëmijët e kanë nga Shakohoxha dhe vendimi i tij “i çmendur” për të kandiduar. A është ai në gjendje të fitojë? Sigurisht që po. Edhe Perandoria Otomane ra dikur. Shqipëria nuk mund të mbetet një “Republikë Bananesh” në futboll. A do të ishte pozitive fitorja e tij?
Nga sa ka ekspozuar publikisht deri tani gjykoj se po. E shoh shumë pozitive, veçanërisht idenë e re të ngritjes së nivelit të shoqatave rajonale në federata rajonale. Sepse FSHF-ja duhet të shkojë pranë futbollit dhe jo futbolli të vijë pranë FSHF-së.
Vendimmarrja dhe pushteti duhet të kalojnë në duart e atyre që prodhojnë futboll dhe që sakrifikojnë prej shumë vitesh për futbollin. Kaq di të them për momentin. Kur të shpallen programet e plota, mbase do të kemi më shumë për të thënë qoftë për Shakon qoftë për “Babagjyshin e Vitit të Ri”.