Fshati pa rrugë në Librazhd, të sëmurët transportohen me barrelë

Nga Agim Blloshmi

Në Fshatin Sopot të Librazhdit kanë mbetur pak familje. Shumica të moshuar që kanë frikë për shëndetin e tyre. Për shkak të rrugës së dëmtuar, nëse dikush sëmuret e transportojnë me krahë dhe barela.

Hasan Blloshmi është një prej banorëve të kësaj zone. E takuam pranë spitalit rajonal të Librazhdit, ku kishte ardhur për mjekim, pasi në fshat nuk ka qendër shëndetësore.

“Erdha për të marre mjekim në spital në Librazhd. Por kemi shumë të këqija. 8 km nga vendi i quajtur Soponjë s’kemi rrugë. Të sëmurët shumë raste i kemi nxjerr me barrelë. Nuk vjen asnjë ambulancë. Isha me Covid.

Kam ardhur me kalë deri në Soponjë. Ka ardhur vëllai nga Kreta për të më çuar në spital. Erdha me makinën e  vëllait me barrelë. Ambulanca duhet të bëjë 8 km në këmbë me barrelë”, shprehet ai.

Tregon se mjeku i familjes ka vite që nuk duket në fshat. “Mjeku i familje është një fshat tjetër. Infermieri ka qenë njëherë para dy vjetësh. Ose do vij në këmbë”.

Ai na tregon se asnjë makinë nuk futet dot në fshat. “Një rrugë që ka bërë bashkia futen vetëm tanket”. 

Hasan Blloshmi kërkon që shteti të ktheje sytë nga fshati i tyre, me hapjen e rrugës dhe ndërtimin e një qendre shëndetësore. /Abcnews.al

Author: portali