Ndonjëherë ndodh të zgjohemi në mëngjes dhe të pyesim veten përse punojmë. Përse duhet të ngrihemi çdo mëngjes nga krevati për të shkuar në punë? Padyshim përgjigja lidhet me pagën dhe kjo e fundit lidhet me sigurimin e jetesës. Nëse nuk do të punonim nuk do të pagueshim e pa pagë nuk mund të plotësojmë nevojat dhe dëshirat.
Për qytetarët e Shqipërisë pyetjet në këtë nivel mund të vijnë në një formë tjetër. Sa vlen paga në Shqipëri? Po puna sa vlen? Sa mund të kursejë një familje në vendin tonë në muaj? Sa kushton një fëmijë në Shqipëri dhe shumë të tjera si këto. “Scan Inteligence Unit” ka kryer një seri analizash për t’i dhënë përgjigje të gjitha këtyre
pyetjeve.
Sa vlen puna në Shqipëri? Me 19 minuta blen një bukë, me 500 orë, 1 metër katror banesë në Tiranë
Paga mesatare në Shqipëri është ndër më të ultat në Europë. Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e tretë të vitit që lamë pas, paga mesatare bruto në vendin tonë fiksohej në 52.185 lekë në muaj. Neto, përkthehet në 43.934 lekë në muaj. Pra, kjo është shuma mesatare që ka në dispozicion në muaj një shqiptar mesatar për të shpenzuar, apo edhe kursyer. Në orë, me 174 orë pune në muaj, kjo pagë përkthehet në 252 lekë në orë.
Për pagën minimale, me ndryshimin e ri, pagesa për orë pune fiksohet në 172 lekë. Sa orë pune duhen për të paguar disa prej prej produkteve apo shërbimeve normale të një shqiptari mesatar? “Scan Intelligence Unit” ka përpunuar të dhënat e Institutit të Statistikave për të dalë në disa përfundime. Për të blerë një bukë masive, 80 lekëshe, një shqiptar mesatar duhet të punojë 19 minuta në ditë, ndërsa për një kilogram mish do t`i duheshin rreth 3 orë punë.
Për ata që paguhen me pagë minimale, buka vlen 28 minuta punë ndërsa mishi plot 4.36 orë, pra pak më shumë se gjysëm dite. Një biletë kinemaje apo një picë, një shqiptari mesatar do i kushtojë 2.38 orë pune, ndërsa një abonim mujor
palestre, prej 4 mijë lekësh,plot 15.8 orë pune, thuajse dy ditë. 23.2 orë pune i kushton palestra në muaj dikujt që paguhet me pagë minimale. Për të paguar një abonim celulari mujor ndërkohë (paketë), duhet thuajse një ditë pune, më saktësisht 7.93 orë pune.
Po për të blerë një shtëpi, sa orë pune i duhen një shqiptari mesatar? Plot 500 të tilla për një metër katror në Tiranë. Për një shtëpi mesatare, rreth 80 metra katrorë, duhen plot 40 mijë orë pune. Për një makinë te re ndërkohë, me një vlerë mesatare rreth 15 mijë euro, do të duheshin rreth 7425 orë pune. Po në rast se një shqiptar mesatar do të donte të blinte modelin më të fundit të iPhone, sa orë do të duhej të punonte? Plot 601 orë,
Sa mund të kursejë një familje shqiptare? Mesatarisht, 2 mijë euro në vit. Do i duheshin 30 vite për të blerë një shtëpi, 7 vite e gjysëm për një makinë
Një tjetër pyetje që lind gjatë analizës së mësipërme lidhet me kursimet. Në vijim të analizës “Scan Intelligence Unit” është përpjekur të paraqesë nivelin e kursimeve që mund të arrijnë shqiptarët. Sa mund të kursejë një familje më të ardhura mesatare në Shqipëri ?
Nisur nag të dhënat e Anketës së buxhetit në familje, një familje shqiptare është e përbërë mesatarisht nga 3.7 persona. Të dhënat e Institutit të Statistikave për të ardhurat mesatare janë për vitin 2019, kështu që për
krahasim më të saktë le të marrim në analizë shpenzimet mesatare për vitin 2019.
Të ardhurat mesatare për frymë për vitin 2019 llogariten në 27.849 lekë. Meqë një familje përbëhet mesatarisht nga 3.7 persona, atëherë themi se të ardhurat mesatare mujore për një familje janë. 103.041 lekë. Nga ana tjetër, të dhënat e shpenzimeve për vitin 2019 tregojnë se shpenzimet mesatare mujore për konsum të familjeve shqiptare janë 82.235 lekë.
Nga përllogaritjet del se një familje mund të kursejë mesatarisht 20.806 lekë në muaj. Po gjatë një vitit ? Të dhënat tregojnë se gjatë një viti një familje shqiptare me 3.7 persona mesatarisht, siç tregojnë të dhënat e
vitit 2019, mund të arrijnë të kursejnë 249.672 lekë osë rreth 2 mijë euro.
Më lart pamë se sa orë i duhet të punojë një Shqiptari për të patur të mirat material që dëshiron. Tani më do të pëpiqemi të kuptojmë se vite kursime i duhet një familje shqiptare për ti patur këto të mira materiale. Le të supozojmë se mesatarisht një metër katror në Tiranë kushton 750 euro. Një shtëpi me sipërfaqe 80 m2 do të kushtonte 60 mijë euro ose në lekë 7,3 mln lekë. Për të blerë këtë shtëpi një familje duhet të kursejë 30 vite.
Po nëse do duhet të blejnë një makinë? Le të marrim një çmim mesatar të një makine të re deri në 15 mijë euro. Sa vite duhet të kursejë një familje shqiptare për ta patur ? Plot 7.5 vite! Nëse një
familje zgjedh një universitet privat për të kryer studimet e larta, sa vite do të kursejë? Le të marrim një çmim mesatar të një viti shkollor deri ne 1.9 mijë euro. Për tre vite të nivelit Bachelor kostoja e shkollimit shkon 5.7 mijë euro. Pët të mbaruar nivelin bachelor të shkollimit në një universitet privat një familje shqiptare duhet të kursejë 2.9 vite.
Një shqiptar duhet të punojë 40.2 vite për të fituar atë që Elon Musk fiton në një minutë, “SIU” analizon shifrat, krahasimi me Europën
Le të përpiqemi të kuptojmë se vlen paga në Shqipëri këtë herë duke duke bërë krahsimin e një Shqiptari me pagë mesatare, me një ndër njerëzit më të pasur në botë.
Elon Musk është njeriu më i pasur i
globit sot, i cili shpeshherë edhe e “lëshon” vendin e parë, në favor të rivalit të tij, Jeff Bezos. Të dy janë ndër njerëzit më të suksesshëm të globit sot, por padiskutim që për Elon Musk mund të shkruhen manuale të tëra se si të jesh i suksesshëm. Në një vit, përgjatë 2020-ës, për më tepër viti i pandemisë, Elon Musk rriti me 128.9 miliardë dollarë pasurinë e tij, çka përkthehet në 353 milionë dollarë në ditë, ose 245 mijë dollarë në minutë, edhe në gjumë.
Në punë efektike, sipas “modelit” Musk, fitimet e tij në minutë llogariten në 344 mijë dollarë. A e dini sa kohë ju duhen juve për të fituar aq sa Musk fiton në një minutë? Plot 40 vite! “Scan Intelligence Unit ka analizuar të dhënat e fitimit të Elon Musk përgjatë vitit të kaluar, duke i kryqëzuar ato me pagën mesatare
të një shqiptari, bruto, si dhe me ato të të gjitha shteteve të tjera europiane. Një shqiptar mesatar fiton rreth 511 dollarë në muaj, sipas të dhënave zyrtare të pagës mesatare bruto në vend për vitin 2020. Kjo përkthehet në 0.0116 dollarë në minutë, jo në orë pune, por të shtrira në çdo sekondë të jetës tuaj. Sipas “modelit” Musk, një shqiptar mesatar fiton rreth 0.0164 dollarë në minutë.
Më poshtë do të shpjegojmë edhe çfarë është modeli Musk. Por ndërkohë që një shqiptari mesatar i duhen plot 40 vite për të fituar atë që Musk arrin të fitojë në një minutë, sa i duhet europianëve të tjerë? “Scan Intelligence Unit” ka përpiluar një listë me renditjen e vendeve të ndryshme të kontinentit të vjetër
Në rajon, shqiptarët janë të parët, për numrin e viteve që duhet të punojnë për të arritur standardin Musk të një minuti. Në Europë ndërkohë, më pak vite i duhen një zviceriani mesatar, “vetëm” 2.8 vite. Një serbi mesatar i duhen 24 vite, një italiani, 6.9 vite, dhe një gjermani, 4.2 vite punë.
Sa “kushton” një fëmijë? Rreth 22 mijë lekë në muaj konsum shtesë, në Tiranë mbi 30 mijë lekë, në Elbasan “vetëm” 9 mijë
Në vijim të analizës, por edhe të dhënave le të përpiqemi t’i japim përgjigje një prej pyetjeve që shtruam që në fillim. Sa konsum shtesë kërkon një fëmijë në vendin tonë?
Mesatarisht
një familje shqiptare prej dy personash shpenzon në muaj rreth 63 mijë lekë, ndërkohë që një familje prej dy të rriturish me fëmijë në varësi, shpenzon rreth 85 mijë lekë, tregojnë shifrat zyrtare të Institutit të Statistikave (Instat) për vitin 2019. Shifrat nuk specifikojnë në rast se bëhet fjalë për një apo disa fëmijë, por norma e ulët e fertilitetit në vendin tonë, në 1.37, si dhe shifrat e konsumit sipas numrit të anëtarëve në një familje, sinjalizojnë se një pjesë e madhe kanë një numër të vogël fëmijësh.
Pra, diferenca në konsumin mujor mes familjeve me fëmijë dhe atyre pa fëmijë fiksohet në rreth 22 mijë lekë në muaj, në rang kombëtar. Shifra
mbetet e përafërt edhe po të marrim diferencën mes familjeve me 2 persona, dhe asaj me tre persona, si dhe atë të familjeve me një person të rritur me fëmijë në varësi dhe asaj të një personi të rritur pa fëmijë në varësi. Diferenca i “orvatet” shifrës së 20 mijë lekëve në muaj, çka duket të jetë pak a shumë edhe kosto mujore e të pasurit fëmijë për një familje mesatare shqiptare.
Kjo diferencë, prej rreth 22 mijë lekësh në muaj, është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Shifrat nga Instituti i Statistikave sinjalizojnë se, diferenca mes familjeve pa fëmijë dhe atyre me fëmijë në shpenzimet mujore, fiksohej në rreth 17 mijë lekë në 2018-ën, dhe në vetëm 14 mijë lekë në vitin 2017.
Por, kjo normë ndryshon ndjeshëm jo vetëm nga viti në vit, por edhe nga qarku në qark. Tirana është vendi më i shtrenjtë për të pasur fëmijë, pasi “kosto” mujore fiksohet në rreth 32 mijë lekë. Në vend të dytë ndjek Gjirokastra, me një “kosto” mujore prej rreth 28 mijë lekësh në muaj.
Madje, këto dy qarqe janë ndër ato me koefiçentin më të ulët të lindjeve në Republikë, çka sinjalizon se një pjesë e madhe e këtyre familjeve tipike me dy të rritur dhe fëmijë, në fakt kanë vetëm 1 fëmijë në varësi. Në vend të tretë ndërkohë kemi Beratin me rreth 25 mijë lek. Ndërkohë, në krahun e kundërt të tabelës kemi Dibrën me vetëm 11 mijë lekë “kosto” dhe Elbasanin me rreth 9 mijë lekë “kosto” mujore.
Sa taksa i paguajmë shtetit? Mesatarisht, 86.5 euro çdo muaj, na kthehen mbrapsht vetëm 30 euro si investim
Pasyra e të ardhurave, shpenimeve si dhe kursimeve nuk mund të jetë e plotë pa taksat që i paguajmë shtetit. Taksat janë burimi kryesor i të ardhurave të një shteti, që shkojnë për mbarëvajtjen e administratës si dhe për shpenzime kapitale, pra investime. “Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e të ardhurave tatimore, për të kuptuar se sa taksa paguan në një muaj një shqiptar mesatar.
Nga llogaritja janë “zhveshur” taksat e bizneseve, si dhe përqindja që zë punëdhënësi në pagesat e sigurimeve shoqërore dhe
shëndetësore, pra janë përllogaritur të gjitha taksat që një shqiptar mesatar, i punësuar ose jo, pra jo sipërmarrës, i paguan shtetit shqiptar në një muaj. Nga kjo llogaritje, rezulton se në total janë 29.94 mld lekë taksa që shqiptarët paguajnë në muaj ndaj shtetit shqiptar për: tatimin mbi vlerën e shtuar, tatimin mbi fitimin, tatimin mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe të tjera, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ( vetëm pjesa e punëmarrësit ) dhe taksat vendore.
Kjo shumë përkthehet në 245 milionë euro në muaj, e cila e përkthyer për banor fiksohet në 86.5 euro për frymë. Kaq është shuma që çdo shqiptar, i paguan mesatarisht shtetit shqiptar në muaj. Llogaritja është bërë për këdo, pra qofshin minorenë, të papunë apo pensionistë, pasi të gjithë konsumojnë, ose paguajnë taksa, direkt ose indirekt. Analiza është bërë mbi të dhënat e muajit shtator të këtij viti.
Me një pagë mesatare neto prej 377 eurosh në vendin tonë, sipas shifrave më të fundit publike, shifra prej 86.5 euro taksa për frymë, do të thotë se për një shqiptar mesatar, 23% e pagës shkon si kontribut për shtetin.
Por, a kthehen mbrapsht këto taksa? Nga analiza e të dhënave të shtatorit të këtij viti, rezulton se investimet, pra shpenzimet kapitale, në muaj për qeverinë shqiptare fiksohen në rreth 10.6 mld lekë, ose 87 milionë euro. Për çdo banor të republikës, qeveria shqiptare investon 30.7 euro çdo muaj.
Rreth 16.6 euro për frymë janë shpenzimet vetëm për pagat e administratës, 12.3 euro për frymë janë shpenzimet për rindërtimin dhe rreth 8.6 euro për person interesat e borxhit të shtetit shqiptar. Rreth 9.5 euro për frymë ndërkohë janë shpenzimet operative të mirëmbajtjes së administratës dhe çdo hallke që ka lidhje me
Të 5-ta këto zëra së bashku bëjnë një shumë prej rreth 78 eurosh në muaj. Në total, të gjitha shpenzimet e qeverisë shqiptare në muaj, referuar muajit të fundit në dispozicion, shtatorit, flasin për rreth 46 mld lekë, ose rreth 381 milionë euro, e thënë ndryshe, 134 euro për frymë.
Po biznesi, sa taksa paguan në një muaj? Sipas përllogaritjeve të “Scan Intelligence Unit” bëhet fjalë për një total prej rreth 10.7 miliardë lekësh, ose rreth 88.1 milionë euro. Në këtë shifër janë përfshirë edhe pagesat për kontributet shoqërore dhe shëndetësore të cilat i takojnë punëdhënësit.
Në Shqipëri janë aktive rreth 166 mijë biznese, çka do të thotë se mesatarisht secili prej tyre i paguan shtetit në muaj rreth 529 euro. Duhet patur parasysh se taksimi për bizneset varion, me biznesin e vogël që nuk paguan njësoj taksa bizneset e mesme dhe të mëdha, të cilat mbajnë barrën kryesore. Por, gjithsesi, shifra i referohet një mesatare, për të pasur një ide më të saktë, të rolit të biznesit në buxhetin e shtetit./gazetatema.net