Elena Gjika, e njohur gjerësisht nga publiku me pseudonimin Dora d’Istria, lindi në Bukuresht në vitin 1828 nga prindër shqiptarë. E bija e Mihal Gjikës, vëllait të Princit të Vllahisë Grigor Gjika, dhe e Katarinës, Elena Gjika mori një arsim të gjerë, duke studiuar letërsinë, së pari në Dresden të Gjermanisë, pastaj në Vjenë, në Itali dhe së fundmi në Berlin, ku u diplomua në fushën e letërsisë së vjetër greke.
Pas përfundimit të studimeve Elena u kthye përsëri në vendlindjen e saj në vitin 1849, dhe u martua me dukën rus Aleksandër Kolstov-Massalski. Për disa vjet ajo jetoi në Rusi, kryesisht në Shën Petërsburg.
Shkollimi dhe orjentimi i saj drejt kulturës perëndimore bënë që ajo të mos ndante me bashkëshortin e saj rus pikëpamjet nacionaliste, as fanatizmin ortodoks të oborrit të perandorit despotik Nikolla. Kur shëndeti i saj u përkeqësua në klimën ruse, u këshillua të udhëtonte në vende të tjera me klimë më të ngrohtë.
Jetoi në Zvicër, Francë, Greqi, Turqi dhe Itali. Gjate kesaj periudhe filloi te ushtroje pasionin e saj per letersine. Filloi të botojë librat e saj të parë dhe menjëherë spikati për talentin e saj.
Si publiciste dhe shkrimtare Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855. Ajo shkruante dhe botonte veprat e saj me emrin Dora d’Istria. Botoi një numër shkrimesh që tregonin jo vetëm njohjen e gjerë të gjuhëve, si rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, rusisht, greqisht (e vjetër dhe moderne), por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj përparimtare.
Elena Gjika ishte revolucionare, kryengritëse, me ide politike e sociale që i paraprinin kohës së vet. Mbajti korrespondencë të rregullt me De Radën dhe Xhuzepe Garibaldin. Është ndoshta i pari personalitet intelektual që hodhi idenë mbi një federatë ballkanike ku do të hynin të gjitha vendet e Ballkanit.
Dukesha Elena Gjika u afirmua si shkrimtare, publiciste dhe shkencëtare në nivel botëror. Shkrimet e saj ajo i publikoi në 6 gjuhë te ndryshme. U bë veçanërisht e njohur me veprën “Gratë e Orientit” (“Femeile in Oriente”), Paris, 1860, e cila u pasua nga vepra në gjermanisht “La Suisse allemande” (Zvicra gjermane), Gjenevë 1856, vepër me 4 vëllime, një përshkrim i Zvicrës dhe popullit të saj.
Në shkrimin “Les femmes en Orient” (Gratë në Orient), Zyrih 1859, dhe “Des femmes, par une femme” ajo shkroi për emancipimin e grave. Botoi gjithashtu tregimin “Au bord des lacs helvétiques” (Lundrim në liqenet zvicerane), Gjenevë, 1861, dhe “Ekskursions
en Rouméllie et en Moree” (Ekskursione në Rumeli dhe More), Zyrih 1863.
Elena filloi të mësonte historinë shqiptare në vitin 1866 dhe u bë avokatja kryesore e çështjes shqiptare në Evropën Perëndimore. Ajo mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës dhe përkrahu Rilindjen Kombëtare Shqiptare, duke mbajtur lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj.
Në një varg studimesh të botuara prej saj, si “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalité albanaise d’après les chants populaires, 1866), “Les ecrivains albanais de l’Italie Méridionale” (Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore, 1867), “Gli albanesi in Rumenia” (Shqiptarët në Rumani, 1873) etj., Elena vuri në dukje nëpërmjet këngëve popullore historike luftën shumëshekullore të popullit shqiptar për liri.
Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, patriotët rilindës dhe arbëreshë të Italisë e të Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria – Gli Albanesi” (Dora d’Istrias-Shqiptarët, 1870), një përmbledhje vjershash patriotike.
Elena Gjika vdiq në Firence më 17 nëntor 1888, në moshën 60 vjeçare. /botasot/inforculture.info