Çështja e pagave ka qenë gjithmonë intriguese për lexuesit, sidomos për ata futbollistë që marrin miliona euro. Mjafton të shikosh në mediat e huaja, ku gjithmonë flitet për rrogat e Mesit, Ronaldos dhe shumë lojtarë të tjerë të famshëm, por nga ana tjetër edhe Shqipëria ka yjet e saj.
Portali “Salary Sport” tashmë është i njohur për listimin e rrogave të futbollistëve në botë dhe jo atyre listave që u zbuluan rreth tri javë më parë në Shqipëri, që vazhdon të jetë edhe sot temë e ditës, duke u bërë kureshtar se sa e ka pagën tjetri.
Duke u bazuar në portalin e famshëm, “Panorama Sport” ka bërë një vëzhgim të thjeshtë duke kërkuar pjesën më të madhe të lojtarëve të Kombëtares që luajnë jashtë dhe duke listuar se sa është rroga bruto e tyre. Duhet të saktësojmë që në këtë portal janë disa nga ligat kryesore në Europë dhe pak emra lojtarësh nuk janë listuar.
RENDITJA SIPAS RROGAVE
Nga vëzhgimi i bërë rezulton që mbrojtësi Elseid Hysaj është lojtari më i paguar. Te skuadra e Lacios ai paguhet me një rrogë javore prej 63 mijë paundësh, çka i sjell atij një rrogë vjetore prej 3.2 milionë paundësh ose 3.9 milionë euro.
Hysaj firmosi në vitin 2021, në fillim të këtij sezoni, dhe ka një kontratë me klubin e kryeqytetit deri në vitin 2025.
Pas tij vjen fantazisti Nedim Bajrami, i cili përfiton te Empoli në Serinë A 1.87 mln paund ose 36 mijë paund në javë. 22-vjeçari luan sezonin e tij të dytë me fanellën e ekipit toskan dhe ka një kontratë që i skadon në qershor të vitit 2024.
Emri i tretë në listim vjen po nga kampionati italian, ku Tomas Strakosha paguhet 34 mijë paund në javë nga Lacio dhe në vit arkëton nga kontrata e tij 1.76 milionë paund.
Portieri është në vitin e fundit të kontratës që i mbaron në qershor të këtij viti. Sipas “Salary Sport”, pas tij renditet kapiteni i Kombëtares dhe portieri tjetër, Etrit Berisha, që merr te Torino një rrogë 1.66 mln paund në vit.
Gardiani nuk ka luajtur ende me fanellën e Torinos në këtë sezon, por kjo nuk e pengon që të arkëtojë një shumë të tillë si 32 mijë paund në javë.
Më poshtë vijojmë me dy mbrojtësit e qendrës, Marash Kumbulla te Roma që përfiton 1.5 mln paund, ndërsa Berat Gjimshiti tek Atalanta me 1.4. Ndërkohë, në Spanjë Ivan Balliu paguhet te Vajekano vetëm 7 mijë paund në javë, çka i sjell atij një rrogë vjetore prej 369 mijë paundësh.
Ndërsa Broja në Premier Ligë, i huazuar nga Çelsi te Sauthemptoni, përfiton 8 mijë e 500 paund në javë që përkthehen në 442 mijë në vit.
Ekipi turk i Koniasporit paguan në vit Sokol Cikalleshin me 239 mijë paund dhe Çekiçin me 223 mijë paund. Emra si Myrto Uzuni, Odise Roshi, Lenjani e Trashi nuk janë në këtë listë. /Panorama Sport