Dritan Shakohoxha ka akuzuar FSHF se po mundohet që të manipulojë zgjedhjet duke filluar me Zyrat Rajonale. Ai shpjegoi në “Sport News Plus” se cilat ishin shkeljet e shumta që ishin konstatuar pa nisur mirë fushata elektorale për zgjedhjet në FSHF.
“Sigurisht që besoj te fitorja, ajo që më ka bindur është një projekt që e kam pasur në kokë për shumë vite të tëra. Është një projekt i shumë viteve më parë, edhe më shumë se 5-6 vite më parë. Për këto ide të mia janë prej kohësh në dijeni edhe të afërm të mi, të cilët një pjesë i kam edhe rivalë tani. Unë besoj se e pamundura është asgjë, unë mendoj që e pamundura është fjalë e madhe. Asgjë nuk është e pamundur dhe besoj se i kam të gjithë numrat dhe mundësitë.
Ajo që ka ndodhur me zgjedhjet në Zyrën Rajonale në Shkodër është shumë e thjeshtë. Ata e mendonin zonë më të sigurt në Shkodër, aty i filluan, ishin shumë të sigurt. Të gjithë drejtuesit e federatës kanë udhëtuar në ditët e fundit 5-6 herë, që nuk e kanë bërë me kohë në Shkodër, janë harruar. Në Shkodër nuk ishte COVID që u shtynë, por frika e humbjes. Kandidati i tyre me sa kam mësuar ka qenë duke dhënë dorëheqjen.
Kandidati tjetër ishte Kujtim Shaba, emër i njohur, ka qenë për 8 vite drejtori i klubit Vllaznia, është drejtor sporti në bashki, ishte alternativë e mirë. Ishin drejtuesit e skuadrave që votojnë dakord, ndaj këta shtuan edhe tre skuadra të tjera në fund. FSHF nuk deklaron kush janë anëtarët e saj, Shaba ka 20 ditë që këmbëngul çdo ditë që të mësojë se kush janë njerëzit që votojnë, nuk e tregojnë, është fshehtësi e madhe,. FSHF në Shkodër nuk u shty nga COVID por nga humbja. E para herë që FSHF ishte në votim, jo rezultat të paracaktuar, ishte e para dhe po humbiste.
Mendoj se FSHF bëri shumë mirë që e mbushi stadiumin me 22 mijë njerëz kur ishte kulmi i pandemisë, ndërsa tani e shtynë një muaj. Tani do të duhet të ndryhen në shtëpi me idenë për të thënë që jemi në COVID. Në Shkodër kryetari aktual i pavotuar është trajneri i ekipit kombëtar U19, një ndër ata që votojnë është trajneri i U19 të femrave, një tjetër është pjesëtar i stafit të ekipit të femrave.
Federata po rreket te kurdisë rezultatin se e tmerron ideja që diku mund të votohet. Në Durrës në natën që u mor vesh që ka kandidat tjetër, të gjithë kanë mbyllur zyrën, nuk hapin telefonin. Kandidati zbuloi që ai që e kishte propozuar, i kishin shkuar e i kishin thënë që të votohej dikush tjetër. Edhe këtë herë nuk duan të lejojnë që të votohet. Edhe në Fier nuk përgjigjet kush, Demiraj po përpiqet po është fikur telefoni. Federata ka një frikë të madhe nga vota, këtë e tregoi edhe në rastin kur punonjësi i federatës shkoi vete të mblidhte shtëpi për shtëpi votat.
Pse katër vite më parë kishte ndikim politik e tani jo? Fino kishte ndikim se ishte deputet, ishte personazh i njohur në politikë. Unë personalisht nuk kam pasur asnjë lidhje me politikën, vetëm në krijimin e Partisë Demokratike kur ishim të rinj se kam qenë te 200 firmëtarët. Unë nuk kam lidhje me politikën, kandidatët nuk kanë lidhje me politikën. Edhe në Tiranë ku kandidon Prodani. Ai është një person të cilin presidenti Duka e ka pasur vetë në krah si Sekretar të përgjithshëm. Ata thjesht nuk pranojnë që të votohen.
Në shoqatën e qytetit të Korçës nuk u është bërë ftesë që të vijnë në votim, nuk e dinë që bëhet. Po tentojnë të trukojnë rezultatin e zgjedhjeve se i tremben idesë. Nuk i thërrasin të votojnë se duan vetëm një alternativë si në kohën e Enver Hoxhës.
Unë jam i bindur se do të fitoj edhe me arbitër kundër. U them çdo ditë e më shumë që votat e tyre vlejnë, nuk drejtohet më me premtimin e gënjeshtërt që do bëjmë 100 fusha e që nuk po shohim të parën e pastaj 99 të tjerët.
Në Shoqatën e Gjirokastrës, është drejtues Astrit Mema i cili e ka të pamundur prej kohësh të drejtojë. Në këtë mënyrë kanë emëruar pa zgjedhje Sadik Sadikajn edhe pse në gjykatë figuron Mema. Skuadra e Tepelenës është regjistruar vetëm sot se nuk e donin, kurse në Përmet rezulton drejtues një person që në klub nuk e njeh askush.
Duka ka bërë shumë gjëra të mira, ashtu siç ka bërë koha. Por futbolli shqiptar ka ndryshuar në mënyrë radikale që pas “Elbasan Arena”. Qeveria e drejtuar nga Edi Rama ndërtoi stadiumin atje, pastaj i dha tokën në Tiranë, i ndërtoi stadiumin këtu në Tiranë. I dha një tokë tjetër ku janë ndërruar zyra që i kanë vetëm në Norvegji, e vetmja gjë se futbolli këtu është ende si në Iran”, tha Shakohoxha ndër të tjera. /Panorama Sport