Fax News mëson ekskluzivisht se Dritan Rexhepi i njohur si një nga bosët e trafikut të kokainës në Amerikën Latine, me kërkesa ekstradimi nga tre shtete ndodhet prej pak javësh në liri.
Burime të sigurta bëjnë të ditura se ai prej vitit 2020 ka përfunduar dënimin, ndërsa ka vijuar vazhdimisht betejën e tij për pafajsi, por i kufizohet liria për shkak të frikës së arratisjes pasi rezulton në kërkim nga të paktën 3 shtete. Ndërsa lirinë e ka fituar me kusht për të mos dalë nga Ekuadori, ku prej javësh paraqitet pranë autoriteteve dhe mbahet në vëzhgim prej tyre.
Fax News u interesua pranë autoriteteve shqiptare të cilat bënë me dije se kanë nisur verifikimet. Disa kohë më parë, u realizua një hetim rreth tij për të gjetur në ngarkim të narkotrafikantit sende apo pasuri të paligjshme, por nga ky hetim ka patur pothuajse zero produktivitet. Rexhepi, ka tentuar dhe nuk i ka ndalur përpjekjet për të dhënë llogari për akuzat para autoriteteve shqiptare, me të cilat pretendon pafajësinë, ndërsa momentalisht e ka të ndaluar të dalë nga Ekuadori.
Më 23 dhjetor, të vitit 2019 një gjykatës i Garancive Penitenciale në Ekuador kishte refuzuar kërkesën për lirimin e parakohshëm të tij, mbi të cilin rëndojnë tre urdhër-arreste nga Interpol dhe kërkohet nga tre vende evropiane për krime të ndryshme, kryesisht të trafikimit të drogërave të forta. Ai ndodhej në burgun Latacunga në Ekuador, 110 kilometra nga kryeqyteti Quito. Rexhepi u arrestua në qershor të vitit 2014, në Guayaquil, ndërsa ishte bërë hija e autoriteteve si personazhi me tre identitete. Rexhepi ishte regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar). Më 10 prill 2015, shqiptari më i famshëm në Ekuador por jo vetëm, dënohet me 13 vite burg dhe fillimisht nisi vuajtjen e dënimit në Guayaquil, por që nga 2017 është transferuar në Latacunga.
Për shqiptarin ka tre ‘alarme të kuqe’ nga Interpol, pasi ai ka tre arratisje të regjistruara: në vitin 2006, nga Policia e Durrësit, në Shqipëri, në 2011, nga burgu i Vogheras, Itali, dhe nga burgu Merksplas, Belgjikë, në të njëjtin vit.
Dritan Rexhepi rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim në Shqipëri, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Por pavarësisht këtij dënimi, është arritur të mësohet se në vitin 2013 ka hyrë në territorin shqiptar me emrin Lulzim Murataj.
/b.h