Gryka e Karadakut njihet për legjenda të shumta dhe të ndryshme. Këtu ka rrëfime për qypat e lirave, për ujin e syrit, për kaun e zi, dyluftimet e demave, për liqenin, për kroin e ilaçit, për varrin e Ajshes e për shumëçka tjetër, shkruan gazeta online Mediafokus.info.
Legjendat, mbase janë karakteristikë e zonave që janë shquar për inteligjencë popullore. I tillë është edhe rrëfimi për liqenin që kishte shteruar ditën kur ishte vrarë kau i zi. Në afërsi të fshatit Sefer, sipas rrëfimeve, dikur kishte ekzistuar një fushë e gjerë, me një ligje të bukur në mes, ku pinin ujë bagëtia dhe freskoheshin demat e lodhur nga dyluftimi që bënin mes vete.
Legjenda thotë se herë pas here në liqe shfaqej një dem i zi, trupmadh që tmerronte banorët kur e shihnin, ndërsa kafshët nuk guxonin t`i afroheshin ujit. Për të shpëtuar nga ky ankth, banorët e kishin vrarë demin e zi një ditë dhe ai duke u fundosur, e kishte mbyllur grykën e liqenit, me trupin e tij të madh. Prej asaj dite, liqeni ishte tharë pikë për pikë.
Ujët, për habi të banorëve, kishte shpërthyer disa metra më poshtë, mbi fshatin Pidiq. Ky vend u quajt “Vrella e Pidiqit”, që në popull njihet edhe si kroi i ilaçit. Rreth këtij burimi janë krijuar edhe rrëfime të ndryshme. Disa besojnë se është ujë që shëron, disa edhe e kanë provuar vetë, por ka edhe të atillë që nuk besojnë në këto gjera.
Qytetarët e kësaj ane shkojnë atje për halle të ndryshme dhe luten që të lirohen prej tyre.
Sipas banorëve, te burimi del ujë i ngrohtë, por më poshtë ai të mërdhin nga të ftohtit. Është i mirë për sëmundje të lëkurës, për hemorroide, për sëmundje tjera. Djemtë e vajzat, dikur e vizitonin këtë krua për të ndryshuar fatin.
Banorët e zonës nuk dëshirojnë t`i humbasin këto pasuri, qoftë për shkak të bukurisë që i japin zonës, qoftë edhe për shkak të legjendave që tregohen për “vrellën”, liqenin e mbyllur nga kau i zi, për kroin e ilaçit, për kishën.
Ka pretendime për të krijuar legjenda edhe sot. Disa rrëfime tregohen vetëm për varrin e Ajshes, që siç thuhet, i kishte bërë 150 vjet pa u martuar. Shkuesit ishin vonuar një shekull e gjysmë për ta kërkuar dorën e saj për nuse. /Mediafokus.info