
Firmës “Besa Trans BTB” i është hequr licenca. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoninë e Veriut përmes një njoftimi thotë se pas të dhënave zyrtare të dorëzuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e që ka të bëjë me autobusin e djegur me tabela SK-0884-BA në pronësi të firmës “Besa Trans BTB”, ministria ka vërtetuar se për automjetin e përmendur nuk është dhënë licencë për transportim ndërkombëtar të udhëtarëve dhe as ndonjë lloj tjetër të transportimit të udhëtarëve.




Ata shtojnë se po ashtu nuk është evidentuar në evidencën elektronike të licencave të dhëna për kryerjen e transportimit të brendshëm ose ndërkombëtar të udhëtarëve që e udhëheq Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.
Nga kjo ministri thonë se ka regjistruar tre automjete të licencuara të firmës “Besa Trans BTB”, ndërsa autobusi i djegur nuk është në mesin e automjeteve të regjistruar.
“Në pajtim me nenin 12 të Ligjit për transport rrugor dhe për shkak të mungesave që janë vërtetuar nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe me qëllim që të parandalohet ndonjë veprim tjetër nga firma që do të mund të nxisë pasoja negative, firmës “Besa Trans BTB” i merret licenca për punës, përkatësisht ndalesa për kryerjen e veprimtarisë”, thonë nga kjo ministri.




Kështu, firma detyrohet që dorëzojë licencën për transportimin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe certifikatat për licencë për transportimin ndërkombëtar të udhëtarëve në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve.
Nga kjo ministri po ashtu theksojnë se qeveria në mbledhjen e fundit ka detyruar Inspektoratin Shtetëror të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në firmën “Besa Trans”.