Në emisionin “Historia ime” në Tv Klan është trajtuar një temë për të cilën ndoshta gjithmonë do të flitet, janë si ato temat universale ku edhe pse kohet kalojnë përsëri janë disa çështje të cilat gjithmonë mbeten. Tradhtia diskutohet shumë jo vetëm pse ndodh, por edhe kur ajo falet apo nuk falet.
Mentaliteti, dashuria apo situata ekonomike shpesh herë bëjnë që njerëzit ta pranojnë tradhtinë e të jetojnë me të. Të shumta kanë qenë rrëfimet e grave në studion e “Historia ime” të cilat e kanë pranuar tradhtinë dhe e kane falur, sigurisht duke u nisur nga rrethanat social ekonomike apo edhe nga mentaliteti për të mbajtur familjen së bashku.
Por ka pasur sigurisht edhe rrëfime që kanë treguar se shumë persona nuk e kanë falur tradhtinë.
Tradhetia, falet apo jo? Pse falet? Kush ndikon mentaliteti, kushtet social ekonomike apo dashuria dhe varësia?A çon tradhtia drejt divorcit? Në studio kanë qënë të ftuar avokatë, disa vajza të reja dhe psikologe për të folur më gjatë rreth kësaj teme. Një ndër të ftuarit ka qenë edhe avokati Gentian Romano i cili tregoi një rast konkret të tradhtisë, ku i njihte dy të dy personat dhe i kishte miq.
“Një çift, miq të mi, e kam patur dhe shumë të vështirë përfaqësimin, bashkëshorti goxha biznesmen i rëndësishëm, të martuar prej 18 vitesh, njihet me një vajzë tjetër, krijon që lidhje të fshehtë për të cilën bashkëshortja vjen në dijeni. 6 muaj kanë pasur goxha shamatë, u bëra shok, psikolog, avokat, nuk doja që çështja të kalonte në proces gjyqësor.
Arrita t’i bindja, por me hile bashkëshorti nuk hoqi dorë nga e dashura dhe dalë nga dalë edhe vetë bashkëshortja po binte dakort me lidhjen që ai kishte krijuar dhe ajo vetë nuk po e ngacmonte përderisa familja ishte e bashkuar, në darkë shkonte në shtëpi, fëmijët nuk kishin ato problematikat sepse ishin të vegjël për ta kuptuar drejt situatën. Por dashuria që bashkëshorti kishte karshi partneres së re, bëri që ai të kërkonte divorcin.
Erdhi dhe më tha që nuk vazhdohet kjo situatë kështu. Bashkëshorten e nxori nga shtëpia, thoshte është bërë e mërzitshme, e zhurmshme, më shqetëson, më fyen dhe e largoi. Ishte biznesmen, kishin shumë shtëpi dhe ajo shkoi në një shtëpi tjetër. U bë divorci, u martua me partneren e re dhe e takoj pas dy vitesh dhe i them si të shkojnë punët. Lëre më tha se u ndava dhe nga tjetra. E pyeta pse e më tha e kisha shumë mirë gruan time, çfarë bëra!”, ka rrëfyer avokati.