Nga Adriatik Doçi
Mbetet ende mister arsyeja e ndalimit të Shkëlzen Berishës diten e djeshme në aeroportin e Gjenevës. mësohet se Shkëlzen Berisha ishte nisur dje nga Tirana për në Gjenevë në orën 15:55, me kompaninë e fluturimeve “Easyjet”. Sapo ka mbërritur në aeroportin e Gjenevës, djali i ish kryeministrit Sali Berisha, është kontrolluar për 15 minuta nga autoritet dhe më pas është shoqëruar në një zyrë. Disa bashkëudhëtarë e kanë parë dhe dërguan foton e bërë te Shqiptarja.com që e publikoi mbrëmë.
Pas publikimit të lajmit, ka reaguar Shkëlzen Berisha, siç tha vetë më shumë për të qetësuar miqtë e tij, duke pohuar se nuk ishte i ndaluar por ishte thjeshtë në tranzit, kur i ishte dashur të bënte një test COVID-i që ka dalë dhe negativ. Por është pikërisht ky version i Shkëlzen Berishës që shton dyshimet.
E para: Kur je tranzit në një aeroport nuk ka asnjë kontroll policor as për pasaportë, as për test anti COVID. E dyta: kur fluturon për një destinacion që është i detyrueshëm testi AntiCovid dokumenti kontrollohet që nga nisja, pra në Rinas dhe asnjëherë gjatë tranzitit. Ndalimi në një aeroport tranzit mund të bëhet në situata të tjera, si në rastet e shkeljes së rregullave ose kur në fakt nuk je tranzit, por destinacioni i fundit ishte Gjenevë. Përse, nëse do të ishte hipoteza e dytë, Shkëlzen Berisha nuk e pranon?
Nuk ka asnjë logjikë që Zvicra të kontrollojë dhe të detyrojë pasagjerët për të bërë test anti-Covid, të cilët thjeshtë sa ndërrojnë avionin për të shkuar në destinacion.
Për të sqaruar opinionin publik, sidomos për të qetësuar miqtë e tij dhe për të shuar dyshimet, Shkëlzen Berisha mund të publikonte rezultatet e testit dhe mund të tregojë se cili ishte destinacioni final dhe i vërtetë.
Shkëlzen Berisha është pjesë e listës së zezë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkë me familjarët e tij. Ai mund të lëvizë lirisht nëpër vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që Zvicra nuk është pjesë e BE./shqiptarja.com/m.j