
“Malergeschäft Kuster” është firmë zvicerane e specializuar për fasada dhe lyerje tjera dekorative brenda dhe jashtë objekteve. Pak kush e di që firmën për 9 vite është duke e udhëhequr një shqiptar me prejardhje nga Kosova.





Bëhet fjalë për Mark Gjonin, i cili në vitin 1987 i është bashkuar familjes në Amriswil të Kantonit Thurgau të Zvicrës, ku është rritur dhe është shkolluar. Zanatin për “moler” (bojaxhi) e kishte filluar në Amriswill. Nga viti 2004 ai ishte zhvendosur në Kaltbrunn ku ai tashmë e udhëheq firmën zvicerane, në të cilën kishte filluar punën si punëtor.
Prej vitit 2004 deri më 2009 kishte punuar vetëm si moler ndërsa pasi kishte vdekur shefi i tij, e veja e tij kishte vendosur që firmën t’ia bartte në trashëgim shqiptarit nga Gjakova. Në këtë mënyrë, Marku bëhet gjenerata e tretë që trashëgon firmën “Kuster”.
Përgjegjësi e madhe të trashëgosh kompaninë me traditë.





“Nuk isha i përgatitur për biznes, gjithçka ndodhi për 2 javë. Firma ekziston për 80 vite kështu që i bie që unë të jem gjenerata e tretë” thotë me krenari, Mark Gjoni.
8 vite të udhëheqjes nuk kanë qenë edhe të lehta për Markun, kur dihet se bëhet fjalë për një rreth provincial, gjegjësisht një komunë me 4 mijë banorë.
“Është dashur të tregoj veten se mundem, duke bërë politikë të biznesit për të ruajtur klientelën zvicerane”, thekson Gjoni duke treguar se bën biznes më shumë me zviceranë.