Don Xhoni jep intervistë për radion gjermane: Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për shqiptarët (video)

Reperi i njohur shqiptar, Don Xhoni, ka dhënë së fundmi një intervistë për Radio Jam FM në Berlin të Gjermanisë. Duke e nisur intervistën me një kërkim-falje për anglishten e tij ndoshta pak të çalë, reperi me prejardhje nga Drenica foli në përgjithësi rreth këtij viti, i cili ka qenë mjaft i suksesshëm për karrierën e tij.

Reperi, emri i vërtetë i së cilit është Xhonatan Isufi, u pyet nga prezantuesi i emisionit për deklaratën e komedianes iranioano-gjermane, Enissa Amani, e cila i ka reaguar publikisht një deputeti gjerman duke e quajtur “racist”. Ajo tani rrezikon deri në 40 ditë burg, për shkak se refuzon të paguajë gjobën prej 188 eurosh, me të cilën është dënuar për deklaratat e saj.

Duke qenë se deklaratat raciste të deputetit të AfD-së ishin bërë edhe për shqiptarët, reperi i hitit “Kokaina” tha se qëndrimet e tij janë të gabuara. “Politikanët duhet të mbështesin popullin e tyre dhe jo të punojnë kundër tij. Nuk ka të bëjë fakti që jam shqiptar, qëndrimi i tij është i gabuar. Nuk është e vërtetë që shqiptarët janë hajdutë.

Edhe shqiptarët i përkasin Gjermanisë. Ata janë investitorë të mëdhenj, kanë firma ndërtimi, punojnë nëpër firma ndërtimi, nëpër institucione shëndetësore, nëpër banka e etj. Mendoj që opinioni i tij nuk ka vlerë”, ka thënë Don Xhoni.

Mes tjerash, në intervistë reperi falënderoi Zotin për suksesin. Don Xhoni foli edhe sa i përket bashkëpunimit me Loredanën. “E dua mendësinë e saj, punën, bënë muzikë të çmendur. Ishte nder për mua që ajo [Loredana] bëri muzikë me mua. Nuk bëj shumë bashkëpunime. Bëj vetëm me ata që i shoh se mund të punoj me ta. Loredana është boss, gangsta” – shtoi mes tjerash Don Xhoni.

Paraprakisht, i vetëdijshëm për anglishten pak të çalët, ai me humor i ka kërkuar ndjekësve që të mos e tallin për anglishten e tij, me të cilën në fakt ia doli goxha mirë të bashkëbisedojë me moderatorin radiofonik gjerman. Reperi poashtu konfirmoi bashkëpunimin me Butrint Imerin për këngën që del këtë muaj.

 

Author: admin