




Ka plot vajza dhe gra që sulen përditë ose sa herë munden, te tregu i Gabit siç i thonë, ose kudo ku shiten rroba të përdorura.
Në Elbasan, ka disa pika ku shiten të tilla dhe mes tyre, u gjend dje, E.B., një grua me banim në këtë qytet.
Teksa ishte duke kërkuar në morinë e rrobave të vjetra për femra, gruaja pëlqeu dhe u fiksua pas një xhakete e cila ishte firmato.




Xhaketa u ble jo fort lirë duke menduar tregun e romëve, por shumë më lirë se ç’kushton ta blesh në dyqanet e firmave, të re.
Teksa u kthye në shtëpi, siç rrëfen vetë gruaja në infoelbasani.al, ajo rendi drejt lavatriçes që ta fusë për ta larë.
E ashtu siç bën përherë me rrobat që lan, para se ta fuste në lavatriçe, kontrolloi instinktivisht xhepat e xhaketës.




Ajo u befasua krejt, kur i hasën duart një send. Teksa e nxorri nga xhepi i brendshëm, pa se ishte një unazë që shihni në foto, një unazë me goxha vlerë. E lumtur për zbulimin që më pas e tregoi kudo, gruaja shkoi tek një argjendar, i cili i pohoi se ishte unazë me vlerë rreth 600 mijë lekë të vjetra apo diku te 400-500 euro. /noa.al/