Ish-kryeministri Berisha gjendet tashmë para kryeministrisë me mbështetësit e tij për të protestuar kundër nismës “Open Balkans” dhe vizitës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë. Berisha u nis nga shtëpia e tij pranë “Piramidës” në Tiranë, në drejtim të selisë së PD-së për të shkuar më pas para kryeministrisë.
Ajo që ra në sy sonte, ka të bëjë me numrin e badigardëve që rrethojnë ish-kryeministrin në rrugëtimin e tij drejt kryeministrisë. Numërohen 8 të rinj që rrethojnë Berishën, ndërsa në krye të tyre qendron ish-drejtori i Policisë, Erzen Breçani. Ky i fundit ka edhe një kompani të sigurisë fizike.
Ish-kryeministri Sali Berisha, e ka quajtur të një rëndësie të jashtëzakonshme protestën që po mbahet këtë pasdite në Tiranë. Ai ka dalë rreth orës 16.15 minuta nga shtëpia e tij në zonën e njohur si “Rruga e Salës” dhe ka nisur nmarshimin në këmbë krah anëtarëve të grupit të Rithemelimit të PD dhe mbështetësve të tij.
“E një rëndësie të jashtëzakonshme protesta. Përshëndes të gjithë qytetarët që sot bashkohen në protestën e tyre të parë më të fuqishme në mbrojtje të interesit të tyre kombëtar të shkelmuar nga regjimi i kakistokracisë, kreu i Meduzës Edvin Rama.
Protesta është kundër aleancës trilaterale Beograd, me vasalët e tij Tiranë dhe Shkup, dhe aspak kundër bashkëpunimit rajonal. Është kundër Open Balkan, kundër së cilës janë tre vende të Ballkanit Perëndimor, kundër saj është dhe Kroacia. Kjo nismë i kundërvihet në mënyrë të paskrupullt nismës së Berlinit”, tha ai për mediat.
Sipas Berishës, shqiptarët u trdhëtuan edhe nga Lulzim Basha. “Ballkani i Hapur u themelua nga Vuçiç në Novi Sad por nëse ka një gjë të rëndë që Lulzim Brava tradhëtoi njësoj si pengmarrësi i tij është çështja kombëtare. Nuk ekzistojnë deklaratat e tij për Ballkanin e Hapur. Kuq e zi është një simbol i përjetshëm i shqiptarëve.”