“Kam pastruar banjot e punuar në ndërtim”/Kampioni shqiptar: Si e nisa karrierën

Të jesh kampion i kalibrit të Adrian Hadribeajt, i cili mban vendin e shtatë në botë për sportin e karatesë, nuk është një rrugë e lehtë. Prej 10 vitesh, ai ndodhet në Amerikë, në tokën e mundësive ku, siç rrëfen gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E diela shqiptare” në Tv Klan, i janë dashur sakrifica të panumërta.

Braktisja e familjes në një moshë krejt të re, vetëm 20 vjeç u pasua nga vizita të shpeshta në federatat sportive, në kurse të tjera për t’u plotësuar profesionalisht, në lodhje e stërmundim, që do të kishin vetëm një çmim në fund. Ndërkohë, i duhej të jetonte dhe të bënte punë që nuk kishin aspak lidhje me kualifikimin e tij.

Kur shkova atje nuk njihja asnjë njeri, isha i vetëm dhe më bën përshtypje sepse çdo herë në fillim, i thoja njerëzve që takoja: Bëj ndeshje, pse nuk vjen të më mbështetësh? Shumë herë e merrnin si një shakak,por mu deshën disa vite. Si fillim, mu desh të nisja në një rang amator sepse ky është sport që ke të bësh me mundës, boksierë, xhudistë dhe nuk isha marrë më parë, kështu më duhej të merresha me sporte të ndryshme që të bëhesha sportist i kompletuar. Arma kryesore ishte karateja.

Ardit Gjebrea: Çfarë bëje, me çfarë jetoje?

Adrian Hadribeaj: Çdolloj pune. Nuk kam as turp, jam krenar, kam punuar plot në ndërtim, pastrime, në fillim kam pastruar banjo dhe e them me krenari sepse të gjitha ato që më jepnin forcë e guxim, sepse e dija dritën e tunelit si do ishte, e dija që do bëhesha dikush, do kisha sukses. E dija që do e bëja familjen krenare, shqiptarët, gjithçka, kështu që ajo më ka dhënë motivimin më të fortë që kurrë mos ta ktheja kokën mbrapa.

Prej disa vitesh, jeta e Adrianit është në rrugën e duhur, ka arritur tashmë të konsolidojë aspektin profesional, teksa nuk ka mbetur pas as ai personal.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ishe beqar, tani nuk je më?

Adrian Hadribeaj: Po. Isha 25, ishte koha që patjetër duhej të shihja dikë sepse ajo ishte ëndrra ime, familja. Sporti ka një moshë, por familja është një jetë.

Ardit Gjebrea: Dhe fillove të shikoje vajzat amerikane?

Adrian Hadribeaj: Pastaj fillova të shikoja vajzat amerikane dhe mendoja, ishte e vështirë, thosha: “Uroj mos të përfundoj me një vajzë amerikane”.

Ardit Gjebrea: Pse?

Adrian Hadribeaj: Po se ishte e lehtë, të bije në dashuri, të komunikoje me dikë se ishte trysnia, takimet çdo ditë dhe shumë takime me shqiptare. Thosha më mirë të më bjerë një vajzë shqiptare sepse edhe më mirë për familjen.

Ardit Gjebrea: Dhe si përfundim, shqiptare apo amerikane?

Adrian Hadribeaj: Shqiptare./tvklan.al

 

Author: admin