Automjeti luksoz tip Mercedes Maybach që thuhet se ka vlerën 200 mijë dollarë, i parkuar pranë Bashkisë së Tiranës ka nxitur reagime të shumta, por Rama ka theksuar se nuk i përket kryetarit të Bashkisë.
Këtë e përmendi edhe ditën e sotme në takimin me banorët në lagjen ‘5 Maji’ në Tiranë, ku do të kthehen sot në banesat e tyre të reja 100 familjet e para, duke bërë me dije se në vijim numri do të shkojë në 11 mijë familje. Rama është shprehur se kjo do të jetë një ndër lagjet më moderne në Tiranë, bashkë me atë të Kombinatit.
Ndër të tjera foli për opozitën që ka stresuar njerëzit me teoritë se qeveria nuk do i japë shtëpi, do i marrë tokën apo do i cojë Lali Erin të ndërtojë vila.
Rama: Kanë stresuar kaq shumë njerëz, kanë futur në ankth kaq shumë familje, kanë ngatërruar kaq shumë fqinjë me njëri tjetrin e kanë futur frikën tek komunitetet që nga Kombinati që cfarë nuk shpikën deri tek 5 Maji e që nga Tirana, në Kavajë, Vorë, Durrës, Laç, Kurbin, Lezhë e deri në Mirditë. Jo shtëpitë nuk do të ndërtohen kurrë, jo do jua marrin tokat që të bëjnë vilat e tyre, jo do bëjnë pallate për vete dhe do i shesin, jo po jua prishin juve që t’ia japin oligarkëve.
Një mizerabilitet në emër të politikës dhe të luftës të pakuptimtë për pushtet që për kaq shumë kohë e bëri këtë proces të vështirë për njerëzit. Ka njerëz në Kombinat që mendojnë se do i shkojnë oligarkët t’i marrin tokat e pastaj do të shkojë Lali Eri të ndërtojë vila bashkë me Maybachun e Lamborghinin.