Aktorja shqiptare Zhaklina Dhimojani ka marrë vëmendjen e mediave zvicerane. Ato e kanë cilësuar aktoren shqiptare të njohur për rolin në “Mimoza Llastica” po aq të njohur sa Heidi në Zvicër.
Zhaklina Dhimojani nisi karrierën në Zvicër si përkthyese ndërsa sot është e angazhuar në politikën lokale.
Atje ajo u njoh edhe me prokurorin federal Stefan Blättler, i cili është sot bashkëshorti i saj. Ajo jeton në Bern të Zvicrës së bashku me bashkëshortin dhe vajzën e saj Alexa.
Një vit më parë Dhimojani ishte e ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, nga ku foli për donacionin bujar që i bëri Ministrisë së Shëndetësisë, gjest që nuk u kalua pa vëmendje në rrjetet sociale.
Aktorja e njohur për rolin e Mimoza Llasticës, vazhdon të kontribuojë për vendin e saj, megjithatë nuk ngurroi ta shprehte hapur një pakënaqësi.
“Të them të drejtën më jep bezdi kur vazhdojnë të më etiketojnë Mimoza Llastica, për shembull më jep bezdi titulli ‘Mimoza Llastica u rrit’, siç kishin shkruar së fundmi në disa portale. Unë jo vetëm jam rritur, por jam në moshë për të qenë edhe gjyshe pak më vonë. Janë disa etiketime që duhet t’i lemë pas”, tha ajo.