Nata e Buzmit në traditën kuptimplote të Kshnellave. Prof. Gjon Fran Ivezaj”
Dikur në anët tona nata e Kshnellave njihej si Nata e Buzmit që nënkuptonte natën e fundit ose të afert të ardhjes së Jetës së Re, e cila në kulturën e malsorëve vjen e trashëguar nga besimi iliro – pagan.
Në këtë natë veç kalimit në Mot Motin e Ri malsorët (e jo vetëm) besimplot përgaditeshin edhe shpirtërisht për ta festuar me ritualet e rastit të cilat i kam shpjeguar me detaje në një kapitull të tërë në librin tim të katërt “Iliro Paganët dhe Sfidat e Krishtërimit në Shqipëri”, fq.84
NATA E BUZMIT
Kalimi i shqiptareve nga besimtar pagan në besimtar të krishterë nuk ishte një veprim i papritur e as një imponim që u bëhej me force, sado që shpesh na paraqitet e kundërta. Për të vertetuar këtë veprim të shqiptarëve do i referohemi kalendarit periodik henor që kjo popullsi ndiqte me përpikmëri të plotë, bazuar edhe mbi ndryshimet e një mot/moti si dhe në kultet themeltare të paganizmit, kryesisht në kultin e diellit dhe të tokës. Lidhur me këtë do trajtoj pikën referuese të Natës së Buzmit ku besimi pagan merr kuptim me lindjen,rilindjen dhe mbarimin, dhe ku krejt natyrshëm sjellë edhe një fillim të ri, ku nata pagane Buzmit bëhet “Nata” e krishterë e Sh’Këndellës – Nata e lindjes së Krishtit, që vjen për të kndellë gjithçka,e cila sipas etnografit të shquar Rrok Zojzit është festa e të zgiedhunit të motit e cila pritet me brohorima e thirrje që në thelb kanë bestytnitë më të hershme pagane “Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me te gjitha të mirat e Zotit ”. Per ta pasqyruar ne detaje do I referohem te dhenave qe na jep Atë Bernardin Palaj, OFM.
Sipas tij, tre ditë mbasi të kthejë moti mbarë bjen kjo natë, në të cilën do të lutet shtëpi për shëpi të knellunt e jetës me një ceremoni të veçantë për rreth buzmit bujar, mbasi asht rituali mâ të pastër i ruejtur ndër malet e Dukagjinit deri ndër ditë tona.
Nëpër të tana katundet e Shqipnís së Veriut duhet me djegë buzmat në ketë natë, sepse ketu fillon të knjellunit e jetës së re. Sipas tij,buzmat janë tri copa druri arre dy–vjeçe, ku paradite një burrë shtëpije, mbasi të jetë la shtati, sepse nuk ban me i nxjerrë buzmat pa u la ma parë, shkon në mal për me i nxjerrë dhe i bjen te shtëpija. I pështetë përjashta murit të shtëpisë në nji vend ku mos t’i prekë kërkush deri sa të vijë koha e darkës.
Kur të bahet koha e darkës, i zoti i shtëpisë gaton zjarmin e ri.
Dy burra tjerë dalin jashta shtëpije dhe i marrin ata buzma për dy skajesh tue ndejë njani mbas tjetrit e ashtu u ngjiten shkallvet deri te praku i derës. Aty i thrrasin të zotit të shtëpís, si t’ishin miq të largët: – O i zoti i shtëpìs! – Askush nuk u a dredhë (kthen) gjegjen. Thrrasin së dyti; prap heshtim i plotë prej mbrendanit (brenda) të shtëpis; kur të thrrasin së treti – Hojjaa! Përgjigjet ma i madhi i familjes prej së mbrendanit.
– Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!
– Mirë se u bjen Zoti ! Pastu prù ora me nafakë ! – pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë
Tue hym buzmi mbrendë, të gjith misat (tvegjlit) e shtëpis çohen në kambë; hjekin kapuçat, e ndërsa i zoti i shtepis njeh uratime, dikush blegron si delme, tjetri virrë si dhi, kush pallë si lopë e kush brylekë si kau, fëmija ndjekin me zâ kingjat, edhat e viçat e vathit e kështu s’ prâjnë tue ndjekë (shpotit) me zâ të gjitha shtâzët shtëpiake deri sa të vendohen buzmat në zjarm prej të zotit të shtëpís, i cili me mâ të madhin nderim i mbulon me shpuzë zjarmi, tue i ruejtë mos të digjen skâjesh, pse ato una duhen nesër për me bâ lamin.
Atëherë ulet treveza e vihet pija; por përpara do të kryhet edhe një flijim i veçantë. Në nji quk të zgavrruem manakali në trup të buzmit, i zoti i shtëpís qet farën e të gjith sendit shka t’i prodhojë toka, tue i a lypë Zotit emën për emën me ia falë secilen farë qi qet n’atë gropëz. Atëherë merr gotën e rakís. Ropët e shtëpis rrijnë gjithnji në kambë, ndersa i zoti i shtëpis me gotë të pijes në dorë kështu i falet buzmit bujar, ku kqyrin të gjith pjestarët e familjes: Të falemi buzmi bujar ! Unë po të falem me krezhmi; ti m’u fal me bulshi e me gjith të mirat e Zotit; ti me na i falë e me na i bâ nafakë ! – e gotën e parë i a derdh buzmit n’at quk. Mun në ketë kohë e zoja e shtëpís, qi gjindet në tjetrën anë të votrës, qet edhe kjo n’at vrimë të buzmit pak t`lynë e pak djathë, tue i u lutë Zotit e buzmit me ia falë bylmetin shtëpis. Barijt atëherë qesin përmbi buzma do pipa lejthije për mos me u dalë dybëza dhivet.
Zjarmi do të ruhet gjith natën deri të bâhet lami, e askush s’do të frŷjë n’at zjarm, për mos me thyem era pemët në verë. Mandej ulen të gjith në tryezë për me darkuem. Ne ketë natë, nuk ka shtëpi sado e vogël ajo të jetë, qi nuk gaton fërlikun e buzmit – nji laknuer petash të grujta e arrash. – Para se me nisë bukën, i zoti i shtëpís i bjen lehtë me sup të krahut të majtë shoqit qi ka për bri, tue uruem me këto fjalë: Ar m’arë si duejt n’arë; e ashtu si janë të gjith rreth treveze përsërisin këto fjalë me rend, tue ndeshë shoqishojnë me supa të krahut. Si të kryhet e ndeshuna e parë, fillon prap i zoti i shtëpís, por në krah të djathët e vetëm mbassi të kryhet kjo ceremoni atehere shtrohet dhe hahet darka.
Sipas etnologeve praktika e nates se buzmit ndryshonte nga nje krahine ne tjetren keshtu ne Veri te Shqiperise buzmi identifikohej me drurin e buzmit,guri I vatres prane zjarrit,zjarri I buzmit etj.,kurse ne Jug quhej vetem druri I madhesive te ndryshme.Fjalen “buzem” E. Ҫabej e shpjegon si fjale autoktone te shqipes, kurse per fjalen kercuri e shpjegon si fjale slave por edhe kjo e huazuar nga shqipja e vjeter
Per t’i dhene nje shpjegim sa me te qarte ketij rituali dhe rendesise qe kishte ne trojet tona duhet ta shpjegojme sipas zonave.
Buzmi apo Buzmet
Në vise të ndryshme të Shqipërisë buzmi apo buzmet ishin drunj të madhësive të ndryshme, llojesh të ndryshme dhe mund të ishin një ose disa drunj dhe për këtë arsye quheshin buzmet.
Në treva të ndryshme nata e buzmit kishte edhe rite përkatëse që dallonin me veçorite e tyre.�Franc Nopça këtë ritual në Malësi të Madhe e përshkruan kështu..ata futnin në dhomë një degë hardhie dhe disa drunj ( kërcunj). Në njëren dru vendosnin buk e djathë dhe në drurin tjetër gotën e rakise dhe vështronin në cilën anë do lëshojë lëng dega e hardhisë. Po rrolli nga rakia do kemi vreshta të mbara, po rrolli nga buka e djathi do kemi bylmet, bereqet dhe mbashtim të bagëtive, madje mund të shtoj edhe faktin se në familjen tonë kur ndizej zjarri i buzmit të gjithë sa ishim rreth atij zjarri i rrihnim unët e buzmit që të lëshoni sa më shumë shknia, duke shprehur kështu edhe kërkesat dhe deshira tona ndaj buzmit bujar.Të njëjtën gjë pohon edhe fileologu i shquar Gjovalin Shkurtaj i cili thot se në këtë natë i zoti i shtëpise merr nga një copë degë prej të gjitha tipeve te pemëve dhe i vë në zjarr duke i sperkatur me raki apo verë dhe të nesërmet atë hi e shperndanin nëpër ara. Me disa ndryshime në lutje e në veprime por pothuajse i njejti ritual behej edhe në Nikaj – Mertur, në Mirdite e kudo në trevat e veriut�Në Myzeqe dhe disa fshatra si dru perdornin dy shkopinj thane që i përdorte i zoti i shtëpise të shprushte dhe të hidhte aty me rradhe kercej për fat për të gjithe njerzit e shtëpise.�Në Përmet natën e Vitit te Ri vihej një kercu i madh ku plaku e plaka shkrepnin mbi të dhe shqiptonin..”kerca e shqerra, dhen edhe dhi / nuse e djem plot në shtepi”. Edhe në Kosovë kishin pothuajse të njejtat rite me Shqipërinë e Veriut[36]. Në hulumtimet dhe në shpjegimet e autorëve të hershëm aty këtu ceket si druja e shenjte e buzmit, druri i qarrit apo lisi të cilin e lidhin me bestytnitë më të hershme duke e cilsuar si vendndeja (vendqëndrimi) apo mrizi i Zanave dhe i hyjnisë së rrufeve në mitologji. Në ritualin e kësaj feste në të gjitha trevat buzmi ushqehej me flijime kryesisht ushqime dhe pije kështu në Malësi të Madhe në mbrëmje të buzmit therej një dash afer buzmit ku e ndanin prushin e zjarmit ne dysh dhe e linin gjakun të derdhej në vatër aty midis zjarrit, pastaj e mblidhnin gjakun e perzier me hi, me dru e me buke buk dhe e përdornin si ilaç për njerëz e për bagëti. Një pjesë të mirë të mishit të pjekur, shtepitë e mëdha e hanin atë natë dhe pjesën tjetër e ndanin me skamnorët. Ky ritual në Malësi të Madhe është me i vonë pasi KINGJI I FLIJIMIT është një ritual që lidhet edhe me krishterimin tek Dhjata e Vjeter ama që në thelb ruan po ato tradita të hershme pagane.�Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj thot se nata e Buzmit është e kudondeshur në hapsirën ballkanike e më gjërë dhe e vlerson si një fantagoni festimesh. Gjithashtu shpjegon se këto festime nisin me 22 dhjetor me kthimin e diellit kah vera, vazhdon me natën e buzmit me 24 dhjetor ku është nata e flijimit,e cila që në lashtesi mendohej se hyji vdes dhe ngjallet për një natë, ndaj dhe ndizet zjarri dhe rrihet zgjuar, ky ritual në malsi lidhet edhe me ritin e vdekjes ku natën që vdes dikush ruhet me zjarrin e pishes apo me dritën e kandilit dhe nuk lihet as vetem. Po në këtë natë sipas të vjeterve thuhet se nis e zgjatet dita sa me kcy gjeli tra më tra. Pastaj festohet 31 dhjetori e deri më 6 janar ku krye ky rit festimesh që percakton kalendari periodik. Sipas tij me 25 dhjetor i zoti i shtëpisë, në nadje heret merr faqoren e rakisë dhe ju shkon pemëve duke ju fal me fjalët..a po ban ma shum a ksaj vere kam me t’pre me spatë, dhe ju lidh një fie kashte elbi. Për ta ruajtu këtë ritual në këtë natë ndizet qiri i dyllit dhe rri ndezur gjith natën por as shtëpia nuk lihet vetëm. Me këtë rast të gjithë lexuesve dhe miqve të mi katolik ju uroj natën e Buzmit dhe Krishtëlindjet ti lutin me zemër të mirë.
Motmoti i Ri ardhtë i bardhë me paqe, shëndet, bereqet e mirësi në jetën dhe familjet tuaja!./portali.shqiptar.com