Europa Nostra, organizata ndërkombëtare e cila mbron vlerat e trashëgimisë kulturore ka lëshuar alarmin SOS për Urë e Zogut, monument kulture që prej vitit 1999 që rrezikon shembjen. Në faqen zyrtare, Organizata Europa Nostra dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve ka publikuar listën e 12 monumenteve më të kërcënuara të trashëgimisë në Europë.
Ura e Zogut, një nga asetet e trashëgimisë kulturore të Kurbinit, e ndërtuar në vitin 1927 rrezikon shёmbjen. Pjesërisht nga erozioni natyror, dhe rreshjet e shumta të dimrit që shkoi, dhe masivisht nga dora e njeriut. Zbatimi i projektit të Urës së Zogut u bë nga inxhinieri i shquar shqiptar, Gjovalin Gjadri, inxhinier, i cili ka projektuar rrugën automobilistike Milot-Burrel, që kalon nga livadhi i Turkut nëpër Mirditë. Ura është ndërtuar brenda një viti dhe është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore. Stili i harqeve të saj dhe detajet të tjera arkitekturore ishin një risi për kohën kur është ndërtuar dhe akoma sot në Universitetin e Inxhierisë trajtohet dhe studiohet stili inovativ i kësaj Urë.
Ura e Zogut do duhej të ishte një prej atraksioneve turistike në Qarkun Lezhë, me të cilën shqiptarët kanë mundësinë të njohin një pjesë të arkitekturës së viteve 30 në veprat publike. Kjo urë është pjesë e memories së kombit, dhe përfaqëson një kohë kur orientimi i vendit ishte drejt Perëndimit, strehës natyrale të Shqipërisë. /Inforculture.info