Stresi ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën që ka thirrur Sali Berisha ditën e nesërme në orën 16:00, kundër ardhjes së presidentit Aleksandër Vuçiç në Tiranë.
Por Stresi thotë se nesër është në protestë, jo kundër mysafirëve, por kundër të zotit të shtëpisë.
‘Nesër do jem në protestë jo për të protestuar kundër mysafirëve, por kundër të zotit të shtëpisë. Kundër të zotit të shtëpisë që nuk përfaqëson dot shumicën e shqiptarëve, ndonëse në zgjedhjet e fundit ishte më i votuar se pengu i tij. Ai nuk u votua nga shumica absolute e shqiptarëve.
I zoti i shtëpisë nuk mund të shpallë mikun e tij personal si mik të Shqipërisë. As të Shqiptarëve. Aq më keq kur ulet në krah të tij dhe përballë Kosovës, shqiptarëve! Ky pozicion politik i qeverisë sonë është i papranueshëm! Kush nuk njeh Kosovën nuk respekton as Shqipërinë!
Mysafirin ta rehatojnë si mysafir, por jo si mik të Shqipërisë e shqiptarëve, të cilët ende nuk i njeh si shtet e as i respekton si komb. Protesta është jeta e një kombi dhe zemra e demokracisë. Do jem aty si qytetar, patjetër!’- shkruan Stresi.
Kujtojmë se ditën e nesërme pritet të vijnë në Tiranë kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti i i Serbisë Aleksandër Vuçiç në kuadër të ‘Open Balkan’.